Turqia i ka vënë një barrikadë të re Suedisë sa i takon aprovimit ose jo të anëtarësimit në NATO. Në parlamentin turk, Erdogan është shprehur se për aq kohë sa Stokholmi lejon të digjet Kurani, nuk do të ketë e as nuk duhet të mendojnë se do të ketë një dritë jeshile për anëtarësim.

“Suedia nuk duhet as të tentojë të provojë në këtë pikë. Ne nuk do t’i themi ‘po’ aplikimit të tyre në NATO për sa kohë që ata lejojnë djegien e Kuranit,” tha Erdogan në një fjalim para deputetëve të tij të AK Partisë në parlament.

Erdogan sinjalizoi të dielën se Ankaraja mund të japë një vendim pozitiv për Finlandën çka nënkupton një ndarje të procesit të anëtarësimit të dy vendeve që kanë aplikuar në NATO.

Pas ngërçeve të krijuara nga Erdogan për këtë proces, në Suedi kanë shpërthyer protesta masive, të cilat kanë vijuar me djegien e Kuranit. Sidoqoftë, institucionet shtetërore të vendit janë shprehur njëzëri se zgjidhja e kësaj çështjeje do bëhet me diplomaci.