Behar Katuci është një prej pjesëtarëve të grupit të dërguar nga Shqipëria në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi. Aktualisht ai ndodhet në Malatia. Në një lidhje direkte me Klan News, Katuci tregon se kërkimet për të mbijetuar kanë vijuar gjatë gjithë natës, pavarësisht temperaturave të ulëta. Ai shprehet se nga të dhënat e siguruara nga kontrollet me kamera, rezulton se nën rrënoja ka ende të mbijetuar. Teksa raportonte, Katuci tha se pak minuta më parë kishin nxjerrë një trup të pajetë nga rrënojat.

A mund të na thoni ekzaktësisht se ku ndodheni?

-Ndodhem në qytetin Malatia të Turqisë, konkretisht jam në një zonë operacionale, ndërtesë, ku fatkeqësisht para 2 minutash sapo nxorëm një viktimë. Vazhdojnë kërkimet me kamera në të gjithë shtëpinë e cila është shembur. Konkretisht jemi 33 trupa nga Shqipëria në zonën operacionale. Këto janë të dhënat më të fundit.

Sa i përket monitorimit dhe pjesës së menaxhimit të kërkim shpëtimit, sa e vështirë është puna në terren, qoftë për shkak edhe të situatës së krijuar, qoftë për kushtet atmosferike, si po menaxhohet?

-Sa i përket situatës atmosferike ka qenë vërtetë vështirë, sepse janë temperatura shumë të ulëta, gjatë natës kanë shkuar edhe minus 8 gradë Celcius. Ne kemi vazhduar operacionin gjatë gjithë natës, deri në orën 5 të mëngjesit të sotëm. Kemi lokalizuar disa viktima, por në pamundësi për t’i nxjerrë gjatë natës, aktualisht sapo nxorëm një viktimë.

Shpresat për të nxjerrë nën rrënoja persona të cilët i kanë mbijetuar kësaj tragjedie, si duken?

-Nga të dhënat e fundit që kemi aktualisht, që po shikojmë me kamera, ka dhe të dhëna që ka njerëz që janë të gjallë nën rrënoja dhe po bëhet e mundur kërkimi dhe hapja e segmenteve të ndryshme për nxjerrjen e tyre nga rrënojat.

A ka nevojë për më shumë forca në terren për të menaxhuar pjesën e kërkimeve apo tashmë janë mjaftueshëm sepse kanë ardhur edhe nga shtete të tjera?

-Faktikisht këtu ndodhen shumë aleatë të shteteve të ndryshme, për këtë arsye besoj se janë mjaftueshëm pavarësisht se dëmet janë shumë kolaterale.