17 ditë pas Superkupës Milan ka mundësinë për t’u hakmarrë ndaj Interit pasi sonte luhet derbi i Madoninës për llogari të javës së 21 të Seria A. Trajneri i zikaltëve konfirmoi se Skriniar do jetë me skuadrën por jo si kapiten.

Sonte sytë e futbolldashësve në të gjithë botën do jenë nga Seria A, pasi në orën 20:45 luhet derbi i Madoninës mes Interit dhe Milanit. Zikaltërit e Inzaghit duan t’ja dalin për të gjetur vazhdimësinë, ndërsa ‘djalli’ kampion në fuqi për të lënë pas krizën e janarit. Të Interi për derbin është kthyer i gatshëm Brozovic, ndërsa Lukaku është në balotazh me Dzekon për një vend titullari. Para sfidës trajneri i zikaltërve Inzaghi është shprehur se Skriniar do jetë pjesë e skuadrës, ndërsa ka shtuar se 3 pikët do fitohen vetëm nëse vendoset shpirti në fushë dhe luhet me mentalitetin e duhur.

Sakaq te Milani, që ka 2 pikë më pak se Interi, trajneri Pioli ka thënë se në derbi duhet të tregojmë se ‘kjo skuadër nuk ka mbaruar’. Ibrahimovic do vijojë i padisponueshëm pavarësisht se në seancën e fundit është stërvitur me grupin, ndërsa mungesa e madhe është mesfushori Benacer. Sa i përket mbrojtësit Tomorri ende nuk dihet nëse do jetë i gatshëm apo jo.

Ndërkohë ajo që e bën më të bukur derbin janë tifozët, të cilët prej ditësh kanë blerë të gjitha biletat e San Siro-s, më shumë se 75 mijë. Për rrjedhojë është vendosur një tjetër rekord, pasi Inter do arkëtojë 5.8 milionë euro sipas ‘Gazzeta dello Sport’. Vendi i parë përsa i përket fitimeve mbahet po nga Interi, pasi në 2019 kundër Juventusit arkëtoi 6.6 milionë euro.

Ky derbi vjen 17 ditë pas Superkupës që u fitua 3-0 nga Interi dhe për këtë ‘djalli’ ka një tjetër arsye përveç pikëve për t’u hakmarrë.