Ekipi Kombëtar U-17, do të luajë dy takime miqësore ndërkombëtare në muajin shkurt kundër bashkëmoshatarëve të Bosnje Hercegovinës. Trajneri i kuqezinjve, Ervin Bulku do të ketë në dispozicion për këto ndeshje lojtarët e vitlindjes 2006, ndërkohë që ka një ndryshim në agjendën e dy takimeve. Fillimisht, dy federatat kishin rënë dakord që këto dy miqësore të luheshin në 14 dhe 16 shkurt, teksa pas një konsulte e një diskutimi të mëtejshëm u ra dakord që dy ndeshjet që do të zhvillohen në Shqipëri të luhen në dy data të tjera. Takimi i parë është planifikuar të zhvillohet në 15 shkurt, duke nisur në ora 15:00 në stadiumin ‘Niko Dovana’ në Durrës, ndërsa sfida e dytë Shqipëri U17 – Bosnje Hercegovinë U17 do të luhet në 17 shkurt, ora 11:30 në stadiumin kombëtar “Air Albania”, Tiranë. Në të dyja takimet, Federata Shqiptare e Futbollit do të hapë dyert për të gjithë tifozët, për t’i dhënë sa më shumë mbështetje kuqezinjve të vegjël. Para pak javësh, Shqipëria U-17 zhvilloi dy takime miqësore kundër Turqisë, teksa këto ndeshje të programuara nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF vijnë në kuadër të përgatitjeve intensive përpara turneut zyrtar që do të zhvillohet në muajin mars në vendin tonë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Ervin Bulku janë kualifikuar në Elite Round dhe do të tentojnë kualifikimin për në finalet e Europianit 2023, teksa do të luajnë shanset e tyre kundër Francës, Zvicrës e Letonia.

15 shkurt
Shqipëri U17 – Bosnje Hercegovinë U17, ora 15:00, stadiumi “Niko Dovana” Durrës

17 shkurt
Shqipëri U17 – Bosnje Hercegovinë U17, ora 11:30, stadiumi “Air Albania” Tiranë