Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot në një takim delegacionin e grupit të miqësisë të Parlamentit të Koresë së Jugut, të kryesuar nga Lee Yangsoo. Kryetarja Nikolla vuri në dukje marrëdhëniet politike shumë të mira dypalëshe dhe mundësitë për t’i avancuar ato. Sipas saj, “11 marrëveshjet e nënshkruara janë një bazë e mirë për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve koreano-jugore në Shqipëri”.

“Bashkëpunimi politik e parlamentar i shërben miqësisë midis popujve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy vendeve. Intensifikimi i bashkëpunimit tonë është tregues i vullnetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Koresë së Jugut për t’u shërbyer këtyre qëllimeve”, vuri në dukje Nikolla. Nikolla shprehu mirënjohjen për faktin se, Koreja e Jugut ishte ndër vendet e para që njohën Republikën e Kosovës dhe kërkoi mbështetjen për anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Duke vlerësuar qëndrimet e njëjta për mbështetjen e Ukrainës, Nikolla nënvizoi se, Shqipëria mbështet politikën e jashtme të Koresë së Jugut, dënon veprimet e Koresë së Veriut në dëm të paqes e sigurisë dhe, si një vend paqedashës, i reflekton këto qëndrime në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Yangsoo dhe anëtarët e delegacionit falënderuan Nikollën për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe vullnetin për forcimin e marrëdhënieve dhe u shprehën se, klima e favorshme e pozitive për investimet e huaja po tërheq gjithnjë e më shumë investimet koreano-jugore në Shqipëri. Delegacioni shprehu interesin për rritjen e bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare, arsimin universitar, turizmin etj, si dhe sugjeruan se rritjes së bashkëpunimit dhe investimeve do t’i shërbente edhe hapja e degës së gjuhës koreane në Shqipëri.