Odise Roshi rrëfehet në SuperSport. Turqia është përgjunjur nga tërmeti shkatërrues që goditi vendin paraditen e djeshme, ndërsa për të treguar shokun psikologjik, ishte në një lidhje direkte edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Odise Roshi.

Për fat të mirë jeni larg zonës së prekur nga tërmeti, por natyrisht që keni ndjerë goditjen psikologjike. Si ndiheni pas një tërmeti të tillë?
Kjo që i ka ndodhur Turqisë është një traumë për të gjithë, pasi ka prekur 3-4 qytete dhe ka qenë shumë i fuqishëm si tërmet. Ka shumë viktima e shkatërrim, ndaj jemi tronditur të gjithë. Sot kemi bërë një stërvitje shumë të lehtë, pasi asnjë në ekip nuk kishte dëshirë të vraponte.

Futbolli në Turqi është ndalur tashmë, por kur pritet të rikthehet normaliteti?
Nuk ka ende një vendim nga ana e Federatës, por sipas asaj që na është komunikuar, besoj se do të rikthehemi në fushë brenda dy javëve. Nga tërmeti janë goditur qytete si Malatya, etj., që luajnë në Superligën turke, ndaj është e vështirë të zbresësh direkt në fushë. Gjendja këtu është jo e mirë, por të gjithë bashkë duhet ta kalojmë këtë situatë, pasi janë gjëra që ndodhin.

Keni komunikuar me futbollistët e tjerë shqiptarë. Besoj se asnjëri prej tyre nuk ka pasur probleme… Kemi folur të gjithë bashkë dhe të gjithë janë mirë. Ne jemi të gjithë afër Stambollit dhe epiqendra e tërmetit ka qenë rreth 1000 km larg, ndaj nuk e kemi ndjerë shumë.