Mungesa e kryeministri Edi Rama për të dhënë shpjegime në Parlament për lidhjet e tij me ish-zyrtarin e FBI-së, McGonigal ka shkaktuar bllokim të foltores prej disa javësh radhazi.

Këtë situatë, sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, e lexon në dy këndvështrime të ndryshme. Në një intervistë për A2 CNN, përveç pakënaqësisë ndaj sjelljes së demokratëve shpreh pakënaqësi edhe ndaj strategjisë së ndjekur nga shumica socialiste në sallë.

“Opozita ka radikalizuar qëndrimin e saj. Mazhoranca duhet të mendojë një strategji për të adresuar këtë çështje. Nuk janë normale. Ne duhet të mendojmë të gjejmë një strategji më të mirë pa penguar miratimin e ligjit”, tha Gjiknuri.

Për numrin 2 të socialistëve, përjashtimet e përjavshme të deputetëve të Partisë Demokratike nuk kanë sjellë rezultatin e duhur, prandaj edhe për këtë Gjiknuri kërkon një rishikim të qëndrimit të mazhorancës. “Masat deri diku sjellin rezultat, rendi duhet të jetë prioritet. Mbase PS duhet të mendojë një strategji të re”, tha Gjiknuri.

Protestat në shesh dhe në Parlament nuk janë kthyer ende në një problem të brendshëm për socialistët, por Gjiknuri e pranon që kjo mundtë lexohet ndryshe nga faktori ndërkombëtar.

“Besoj se mazhoranca nuk kërcënohet nga këto protesta. Nuk është mirë për imazhin e vendit pasi duket sikur është krijuar një krizë, edhe pse është artificiale”, tha Gjiknuri.

Ashtu si pjesa tjetër e mazhorancës, edhe Damian Gjiknuri mendon që nuk duhet zhvilluar një hetim parlamentar për rastin McGonigal, të paktën deri sa të bëhet ligji i ri për komisionet hetimore.