Nga Esiona Konomi

Protesta e opozitës ishte larg premtimit për të shënuar fillimin e një revolucioni. Analistët e quajnë atë një dështim të Sali Berishës, i cili për interesa personale thirri një miting ku nuk ju bashkuan as militantët. Nga ana tjetër, Edi Rama u shfaq duke punuar me baltë, në riparim të një vazojë të thyer, duke nxitur fantazinë e ndjekësve të përkthejnë metaforën e tij.

Ajo që u premtua si ditëlindja e një revolucioni, dha në finale vetëm panoramën e një ekskursioni. Pjesëmarrja e qytetarëve në protestën e thirrur nga opozita, u konsiderua e ulët nga vëzhguesit e vëmendshëm të ngjarjeve politike. Mesazhet e përcjella nga podiumi i frontit për çlirimin e atdheut, u lexuan si thirrje për shpëtimin e vetvetes.

Në fakt, skenari i protestës prodhoi diçka të re. Sali Berisha tejkaloi Bashën. Nëse ish-lideri e kishte zakon të rrotullohej rreth kryeministrisë, lideri i rikthyer përshkroi atë që njihet si Unaza e Vogël e Tiranës, mes Shqupit, Parlamentit dhe Pedonales. Për të ngritur flamurin mbi bunkerin e Karlo Bolinos.

Edhe këto përpjekje nuk i rritën pikët, as në sytë e bashkëpunëtorëve të dikurshëm. Përfundimi? Asgjë e re nga fronti i perëndimit. Më saktë, nga fronti i lindjes që nuk ndodhi kurrë. Ndoshta kjo solli edhe zbutjen e ankthit ë kryeministrit, i cili fillimisht u shfaq tek heqja e stresit, përmes baltës.

Jo baltës që ai thotë hedh doktori, por qeramikës me të cilën ai riparoi live në TikTok, një vazo. Vazo e thyer, një metaforë që ndoshta është reflektim i qeverisjes apo së paku i qeverisë pas kësaj krize të re, e cila vdiq ende pa ndodhur mirë. Si kontrasti në distancë mes vazos së tij, dhe Sali Berishës, që i pikturonte muret e jashtme të zyrës me qese boje.

Një betejë estetike që Edi Rama e ka fituar me kohë me kundërshtarët e tij, edhe kur qeverisja i ngjan më shumë një vazoje të thyer, sesa një vepre arti të rindërtuar.