Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia do ta pranojnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve.

Borrell për “Deutsche Welle” ka treguar se ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin serb, Aleksandër Vuçiç-in për takim më 27 shkurt në Bruksel.

“Jam takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Do të takohem me të dy në Bruksel më 27 shkurt, po i kam ftuar për të pasur një ditë të plotë diskutime.

Është një propozim në tryezë. Shpresoj që ata të jenë në gjendje ta pranojnë këtë propozim si rrugë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre”, tha Borell.

Kësaj i parapriu një ofensivë diplomatike me muaj ndaj Prishtinës dhe Beogradit për të pranuar propozimin franko-gjerman.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovws, Albin Kurti, përsëriti për DW rezervimin e tij ndaj themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicw Serbe, duke thënë se formimi i këtij mekanizmi është i mundur vetëm paralelisht me njohjen nga Serbia.

Ndërsa, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka konfirmuar për mediat nga Mynihu se është i ftuar në Bruksel, duke thënë se nuk ka ndërmend të shkojë atje si “turist”, por se është i interesuar për themelimin e Asociacionit.