Sekretari për Diasporën në PD, Indrit Hoxha, njëherësh edhe kandidati për kryetar bashkie në Vorë tha në një intervistë se protesta e 11 shkurtit do të jetë pa kthim, deri në largimin e kryeministrit, duke paralajmëruar për zgjedhje të parakohshme.

Hoxha u shpreh se tubimi do të nisë në orën 12:00 dhe siç tha ai, “ka marrë fund koha e fjalimeve në protesta”.

Ai tha se protesta do të jetë pa kthim, duke siguruar se edhe qytetarët do të rezistojnë deri në fund.

“Edi Rama do largohet me çdolloj mjete dhe mënyrë demokratike. Protesta është një nga mjetet demokratike që ta mundëson këtë.

Synimi është largimi i Ramës dhe vajtja drejt zgjedhjeve të parakohshme. Protesta do të jetë e pandalshme.

Di të them që kjo është një protestë që pa ikur Rama nuk ndalon. Duhet të heqim Ramën, të përgatiten kushtet për zgjedhje të parakohshme”, tha Hoxha.

Kujtojmë që para çdo proteste, PD premton rrëzimin e Ramës.

Por me këtë premtim, se “këtë radhë do ta rrëzojmë me patjetër Ramën”, veç kanë lodhur protestuesit dhe tashmë, siç u pa dhe në protestën e fundit, kur dhe rrahën Berishën, nuk poi u del më njeri në shesh.

Kjo protestë është e para, apo e pandalshme brenda ditës?

Kjo është një protestë që nis më 11 shkurt dhe nuk e dimë kur mbaron.

Çfarë do të ketë ndryshe kjo protestë dhe cfarë strategji keni diskutuar?

Koha e fjalëve në protestë ka përfunduar. Nuk do jetë protestë që do mbajmë fjalime dhe më pas të ikim në shpi. Kjo është nisja e protestës pa mbarim. Pra do të mbyllet si protestë kur Rama të largohet nga drejtimi i vendit. Starton në datën 11 në orën 12 dhe do mbarojë kur të largohet Rama.

Do të jetë protesta më masive që është bërë ndonjëherë. Do të jetë një superorganizim i opozitës shqiptare për të nxjerrë gjithë popullin në shesh.

A do të qëndrojnë qytetarët gjatë?

Pa diskutim, me bindje të plotë që qytetarët që do rezistojnë dhe do rrëzojnë këtë qeveri me protestë dhe votë.

Nëse nuk ikën Rama ky do jetë dështim i opozitës shqiptare. Zgjedhje me Ramën nuk do ketë dhe nuk ka. Unë ju siguroj që në zgjedhjet lokale nuk do shkojmë më Ramën kryeministër.