Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vizituar Brukselin, në kuadër të një turi në kryeqytetet evropiane për të kërkuar më shumë armë për të zmbrapsur pushtimin rus.

Në fjalimin e mbajtur në Komisionin Evropian, Zelensky ka paralajmëruar Evropën se planet e pushtimit të presidentit Putin nuk do të ndalen me Ukrainën, por do të shkojnë edhe më tej.
“Së fundmi fola me presidenten e Moldavisë, të cilën e informova se kemi zbuluar një plan të Rusisë për të shkatërruar Moldavinë dhe demokracinë e saj. Ne nuk e dimë nëse Moska do ta zbatojë këtë plan, por ai është i ngjashëm me atë që ajo ndoqi në rastin e Ukrainës”, deklaroi Zelensky.

Ai ka theksuar se me rezistencën e saj, Ukraina nuk po mbron vetëm territorin përkatës, por nuk po lejon që lufta të zgjerohet më tej. “Ukraina po lufton dhe ajo mund ta mbrojë pavarësinë e saj. Por paqja afatgjatë në Evropë do të vijë vetëm kur Ukraina të fitojë dhe të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Zelensky.

Zelenski i ka kërkuar Unionit që të vazhdojë të ndjekë kursin e nisur në mbështetje të Ukrainës. Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e deritanishme “përballë këtij viti të tmerrshëm”, siç e ka quajtur ai pushtimin rus.

Nga ana tjetër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka premtuar vijimin e mbështetjes dhe ka bërë thirrje për ngritjen e një gjykate për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse. Ndërsa shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel ka nënvizuar se Evropa nuk do të kursehet në mbështetjen e saj.