Për herë të parë Bashkimi Europian, mbajti një samit në një vend lufte. Sirenat e alarmit, që kumbuan dy herë, u kujdesën që t’ia rikujtonin këtë. Liderët e BE-së u mblodhën në Kiev për të diskutuar me zyrtarët atje lidhur me procesin e anëtarësimit të Ukrainës. Pas dhënies së statusit të vendit kandidat, presidenti Volodymyr Zelensky kërkoi që negociatat e pranimit të nisin brenda këtij viti. Megjithatë, shpresa për një rrugë të shkurtër anëtarësimi, u shua shpejt, pavarësisht vlerësimeve të mëdha për zbatimin e reformave në këtë periudhë lufte. “Nuk ka një afat kohor të caktuar, por ka synime dhe reforma që duhen përmbushur. Për shembull, duhet përmirësuar situate në një vend kandidat dhe më pas duhet të nisin negociatat e anëtarësimit dhe në fund të ndodhë aderimi”, tha Ursula, presidente e Komisionit Europian.

“E ardhmja e Ukrainës është brenda Bashkimit Europian. Ukrainasit dhe ju keni bërë një zgjedhje të qartë për liri, demokraci dhe sundim të ligjit”, tha Charles Michel, presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian. Në diskutim edhe paketa e dhjetë e sanksioneve të BE-së, si dhe dobësimi i Rusisë, jo vetëm në rrafshin ekonomik.

“Paketa e 10 e sanksioneve është rrugës. Do ta kemi përpara 24 shkurtit dhe ka një volum rreth 10 miliardë euro”, tha Von der Leyen. “Jemi shumë të interesuar të sigurohemi që Rusia të mos ketë asnjë shans që të rigjenerojë kapacitetet e saj ushtarake. Sanksionet e kanë ngadalësuar këtë proces. Prandaj është e rëndësishme që të garantojmë se ata nuk do të gjejnë mënyra për të anashkaluar sanksionet, gjë të cilën e bëjnë falë vendeve të tjera”, u shpreh Zelensky. Liderët europianë premtuan që ndihma financiare për Ukrainën gjatë vitit 2023 do të jetë 18 miliardë euro. Ndërkohë, Gjermania aprovoi dhe dërgimin e 88 tankeve “Leopard 1” për në Kiev, pasi pranoi dhe furnizimin me “Leopard 2”.