Dy ditë më parë kombëtarja U-21 e drejtuar nga Alban Bushi njohu kundërshtarët për Europianin e 2025 që do zhvillohet në Sllovaki. Së bashku me kuqezinjtë në grupin E do jenë Rumania, Zvicra, Finlanda, Mali i Zi dhe Rumania.

“I kemi të gjitha shanset këtë edicion për t’u kualifikuar. Duke sakrifikuar, duke luftuar, duke e ndjerë shumë fanellën e kombëtares, por edhe me pak fat mendoj se i kemi të gjitha shanset për vendin e parë dhe të dytë,”-u shpreh Alban Bushi, trajner i kombëtares U-21.

Megjithatë trajneri Alban Bushi merakoset për dy detaje që nuk janë në dorën e tij.

“Shpresoj që mos të kemi dëmtime në këtë sezon. Dhe lojtarët që do kemi kontigjent shpresoj që të marrin minuta me ekipet e tyre, që unë kam shumë besim se do bëjnë më të mirën këtë sezon,”-tha ai.

Pa zbuluar emrat e futbollistëve Bushi tregoi se kombëtarja U-21 do përforcohet shumë në këtë fushatë kualifikuese.

“Mund të kemi 2-3 prurje shumë të rëndësishme nga kampionate ballkanike dhe europiane. Do ti japin tonin kombëtares U-21 pasi do jenë prurje shumë të forta,”-deklaroi ai.

Ndeshjet eliminatore të europianit për 21-vjeçarët do nisin më 20 mars kundër Armenisë dhe do mbyllen më 15 tetor të 2024.