Gjatë periudhës së merkatos, janë të shumta mundësitë që një lojtar të ndryshojë klub dhe fanellë. Mirëpo, edhe pse shumë të rrallë, ka nga ata besnikë të cilët preferojnë t’i dedikojnë karrierën një skuadre të vetme.

Ky është edhe rasti i Javier Zanettit i cili i qëndroi besnik Interit për plot 19-vite. Jo më kot, sot e kësaj dite, ish-mbrojtësi është ende pjesë e klubit zikaltër, tashmë në kastën drejtuese të italianëve. Megjithatë, historia mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë me Zanettit që zbulon në një intervistë për Tuttosport se ka pasur interesim nga ana e Real Madrid dhe Barcelona, por ai refuzoi.

“Në vitin 2001 pata një bisedë me Valdanon që në atë kohë ishte trajner i Real Madrid. Më kërkonte me ngulm në Madrid dhe transferimi mund të konsiderohej i përfunduar. Por, në fund vendosa të qëndroja te Inter dhe i tregova Morattit se Real Madrid por edhe Manchester United kërkuan shërbimet e mia. Nuk e mbaj mend mirë, ishte viti 2001 apo 2002 dhe së bashku me bashkëshorten time Paulën, ishim në aeroport dhe takuam Ferguson.

Më pyeti për kontratën me Inter, por edhe pse ishin vite të vështira për klubin unë isha i lumtur te Inter. Ndoshta në një klub tjetër mund të kisha edhe një karrierë më të madhe, por nuk do të ndjehesha askund tjetër më mirë se tek Inter.

Barcelona? Ata zgjodhën Carles Puyol. Dhe Puyol gjithnjë më falenderon për këtë sepse kur ishte në skuadrën e ti rinjve, trajneri i Barçës në atë kohë, Van Gaal më telefonoi dhe më tha se kërkonte të transferonte mbrojtësin e djathtë më të mirë në botë. Më tha se nëse nuk do të më merrnin mua atëherë do t’i besonin Puyol. Tani, Puyol më falenderon sa herë më sheh”, u shpreh Zanetti.