Pas rreth 1 vit hetime, SPAK ka marrë të pandehur ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun, për rolin e tij në tragjedinë e Gërdecit. Një grup faktesh dhe rrethanash kanë konfirmuar se Mediu ka qenë thjeshtë ‘ushtar’ i Sali Berishës dhe Shkëlzen Berishës për zbatimin e planit të biznesit në Gërdec. Teksa Mediu do të referohet për gjykim në gjykatë, SPAK ka marrë në pyetje në lidhje me Gërdecin Shkëlzen Berishën dhe Aldo Bumçin, ish ministër Drejtësie, i cili ashtu si Mediu, punonte për Shkëlzenin. Ky fakt tregon që SPAK po vijon hetimet për Gërdecin përtej Fatmir Mediut, për të cilin Berisha ka pohuar se ka zbatuar me përpikmëri porositë e tij. Vijimi i hetimeve rrezikon Sali dhe Shkëlzen Berishën.

Krahas hetimeve për Gërdecin, SPAK vijon hetimet edhe për tjetërsimin e pronës shtetërore ish Klubi Partizani nga qeveria e Sali Berishës, me përfitues dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, i cili mbi pronën e privatizuar ka ngritur me para të dyshimta 19 kulla, në të cilat është pronar me 35-50 %. Vlera e investimit është dhjetëra milionë euro, ndërsa Jamarbër Malltezi ka pasur në vitin 2006 më pak se 40 mijë USD.

Procedimi penal e numër 287/2020 për aferën me ish Klubin Partizani është regjistruar me akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale, parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal. Me të kallëzuarve nga Kuvendi janë Sali Berisha me dhëndrin e tij, ndërsa SPAK ka nisur të marrë në pyetje ish ministra dhe drejtorë që kanë marrë pjesë në operacionin e tjetërsimit të pronës publike, duke përdorur pushtetin për interesa familjare.

Ndërkaq, prokuroria mund të rihapë dosjen e 21 Janarit, ku në qendër të akuzave për urdhrin verbal për 4 vrasjet dhe 6 plagosjet është Sali Berisha. Nga ana tjetër, është i hapur një procedim penal për aferën CEZ-DIA, për të cilën Sali Berisha ka akuzuar Ilir Metën si orkestrues i skemës së korrupsionit. Tre procedime të tjera janë regjistruar në SPAK për Ilir Metën, për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasurie etj., në lidhje me lobimin me 1.2 milionë USD të padeklaruara në SHBA, shërbime estetike të padeklaruara bashkë me Monika Kryemadhin, fshehje të pronësisë së Godinës së LSI, një skemë përfitimi me kunatin Drini Kryemadhi etj.

Në lidhje me dosjen e lobimit dhe të shërbimeve estetike, pritet që të vijnë në Shqipëri përgjigjet për letërporositë, të cilat do të jenë vendimtare për hetimet. Disa javë më parë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka urdhëruar SPAK të verifikojë pasurinë e Ilir Meta dhe Sali Berishës nëse është deklaruar në përputhje me ligjin dhe nëse ka lidhje me vjedhjen e thesarit të shtetit në vitin 1997 dhe vitin 1999.

Në këto kushte, kur i biri dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë kanë parë derën e SPAK-ut, Sali Berisha shpalli sot platformën politike për zhbërjen e reformës në drejtësi, investimit më të madh të SHBA-BE në Shqipëri. Berisha e konsideroi reformën si një nga aktet më të mëdha të korrupsionit.

“Reformimi i sistemit të drejtësisë, nxjerrja e tij jashtë reformës së Xhorxh Sorosit, që e kam cilësuar se është një nga aktet më madhore të korrupsionit ndërkombëtar, ajo do ndodhë. Nuk ka deklaratë që mund të maskojë dështimin e plotë të kësaj reforme. Kjo ndërhyrje do fillojë me një referendum popullor. Më pas në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtare, ne do ndërhyjmë me reformë të thellë në këtë sistem, që t’ia kthejmë drejtësinë ligjit, që ajo të jetë e pavarur nga guvernatorë dhe mafia ndërkombëtar”, tha Berisha.