Lazio ka hedhur një hap të gabuar në luftën për të siguruar një vend në Champions League për sezonin e ardhshëm, pasi kryeqytetasit kanë barazuar 1-1 kundër Verona-s për llogari të javës së 21 të Seria A.

Në ‘Olimpico’ ekipi i drejtuar nga Sarri, pjesë e të cilit nga minuta e parë ishte edhe Elseid Hysaj, shënoi i pari në minutën e 45 me Pedron, i cili realizoi një gol spektakolar brenda zonës. Gjithsesi kjo nuk mjaftoi pasi në pjesën e dytë Ngonge barazoi shifrat për miqtë, që do mbeteshin të mbërthyera deri në fund. Pavarësisht se nuk mori rezultatin që kërkonte Lazio mbetet në vendin e katërt me 39 pikë, 1 më shumë se Atalanta dhe Milan që mbajnë vendin e pestë dhe të gjashtë.

Ndërkohë sonte do luhet sfida e fundit e javës së 21 të Seria A mes Salernitana-s dhe Juventusit. Bardhezinjtë që prej dënimit me -15 pikë në kampionat nuk kanë fituar një ndeshje, ndërsa sonte do tentojnë të thyejnë mallkimin.

Për këtë arsye trajneri Allegri ka parashikuar ta nisë titullarë pas shumë kohësh me Di Marian dhe Vlahovic, ndërsa Chiesa do jetë asisti nën mëngë, i cili do aktivizohet gjatë ndeshjes. Për Juventusin fitorja është jetike pasi klubi rrezikon të marrë një tjetër dënim -15 pikësh.