Nga Carlo Bollino/

Historia e agjentit të FBI-së Charlie McGonigal, i akuzuar nga autoritetet amerikane si bashkëpunëtor me një oligark rus nën sanksione pasi është larguar nga FBI, po gjallëron opozitën shqiptare shumë më shumë se opinionin publik amerikan. Arsyeja e kaq shumë entuziazmi është se i njëjti agjent i FBI-së, në një tjetër proces gjyqësor, akuzohet se kur ishte ende anëtar i FBI-së ka frekuentuar Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën ku ka takuar biznemen dhe zyrtarë të lartë të këtyre katër shteteve, përfshi dhe kryeministrin Edi Rama. Agjenti i FBI-së kishte dhe dy miq shqiptarë (Agron Nezën dhe Dorjan Duçkën), njëri prej të cilëve (Neza) i ka huazuar 225.000 dollarë në tre këste të ndryshme me impenjimin për t’ja kthyer. Duçka (i cili nuk rezulton qe ka paguar asnjëherë agjentin e FBI-së) ka qenë edhe këshilltar i Edi Ramës, drejtor në një ministri gjatë qeverisë së Berishës dhe zëvendësministër kur Ilir Meta (me të cilin është dhe kushëri) qeveriste me socialistët. Autoritetet amerikane e akuzojnë agjentin e FBI-së se ka marrë këtë hua dhe ka udhëtuar në Ballkan duke takuar autoritetet, pa njoftuar paraprakisht Byronë, siç kërkojnë rregullat shumë strikte të kontrollit, të vlefshme për të gjithë pjesëtarët e FBI-së. Ky është krimi për të cilin duhet të përgjigjet. Edhe pse janë autoritetet amerikane që zbuluan borxhin me shumën prej 225.000 dollarë, në fakt, nuk kanë akuzuar për korrupsion as agjentin e FBI-së që e ka marrë dhe as shqiptarin Agron Neza që e ka dhënë. Shenjë e padiskutueshme se drejtësia amerikane nuk e konsideron atë shumë ryshfet, por vetëm borxh.

Do të kishte mjaftuar vetëm kaq për të rrëzuar kështjellën me akuza që opozita po përpiqet të ndërtojë në mënyrë të dëshpëruar, duke pretenduar se këta para janë prova që Rama ka korruptuar FBI-në për të shkatërruar Partinë Demokratike: fillimisht me skandalin e rublave ruse të paguara për Lulzim Bashën, pastaj me deklarimin e Berishës si “non grata”. Natyrisht, nuk është e para herë që opozita dhe analistët e saj lexojnë nga një akt gjyqësor vetëm fjalitë që iu interesojnë politikisht, duke injoruar gjithë pjesën tjetër. Rezultati është një mish-mash akuzash që fryhen ditë pas dite si një vezë e rrahur, deri në pikën që akuzojnë Ramën qe është mik i agjentit të FBI-së, si një aleat i Rusëve se ka tradhëtuar bashkë me PD-në edhe Shtetet e Bashkuara pak a shumë siç bëri Enver Hoxha kur u bë aleat i rusëve dhe jugosllavëve. Po nëse do të kishte patur mik një agjent të KGB-së, për çfarë do ta akuzonin? Kulmi, sipas deshmi te analistit shqiptaro-amerikan Geri Kokalari në Report Tv, është se vetë Sali Berisha është takuar me agjentë të FBI me kërkesë të tij, në SHBA dhe në Tiranë, ku tentoi të informonte për korrupsionin e ish-kryeministrit Fatos Nano. Por në konkluzionet e takimeve që janë edhe në dosje, agjentët e FBI e vlerësuan si jo të besueshëm Berishën, ndërsa gjatë gjithë kohës nënvizuan se ishte shumë nervoz. Pra si gjithmone ai akuzon të tjerët për ato që ka bërë vetë

Në fakt strategjia e një pjese të opozitës është e qartë: të përpiqen të përmbysin imazhin e një njësie anti-amerikane që Berishës dhe të Metës kanë ndërtuar rreth vetes në dy vitet e fundit. Të dëgjosh Sali Berishën që akuzon Edi Ramën se ka kompromentuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara pasi pikërisht Berisha u përpoq të çonte në gjykatë kreun e Departamentit të Shtetit që e deklaroi “non grata” dhe etiketoi me çdo epitet të mundshëm ambasadoren e tij në detyrë (për të mos folur për akuzat e tij se CIA kishte nxitur revoltat e 1997), është qesharake dhe tragjike në të njëjtën kohë. Tregon pabesueshmërinë e tij totale morale dhe pozicionin e dëshpëruar politik, të dyja karakteristika që e bëjnë një lider fals dhe gënjeshtar, të aftë vetëm të groposë opozitën shumë më shumë nga sa do të mund të kishte bërë gjithë FBI-ja bashkë. Nën ethet e raptusit filoamerikan, Berisha dhe Meta lajmëruan me 11 shkurt të disatin “uragan popullor” që do të detyrojë Edi Ramën të japë dorëheqjen. Pritet që nga shtatori i vitit të kaluar, por deri tani ende asnjë gjurmë. Dhe vështirë se do të duket edhe pas dy javësh. Arsyet janë të shumta:

1. Asnjë qytetar me logjikë nuk arrin të barazojë oficerin e lartë të FBI-së me një kapo mafie në kërkim dhe kështuqë askush nuk sheh ndonjë skandal se pse Edi Rama e ka takuar, asnjëherë vetëm dhe pa e mbajtur si mister. Ishte shumë më e rëndë që Sali Berisha ulte në tavolinën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare një trafikant si Damir Fazlliç që ndërkohë paguante vajzën e tij dhe dhëndrrin e tij. Dhe për këtë askush nuk kërkoi dorëheqje.

2. Akuza se ka qenë Edi Rama që informoi FBI-në për marrëdhëniet ruse të Lulzim Bashës (arsye për të cilat u arrestua në Shtetet e Bashkuara lobisti amerikan Nik Muzini), është e provuar që është false dhe opinioni publik e di fare mirë. Lajmi në fakt kishte dalë tri ditë më parë në mediat shqiptare, para se të informohej agjenti i FBI-së. Por edhe sikur të ishte kështu, problemi nuk qëndron në faktin se kush e informon FBI-në dhe drejtësinë amerikane për një skandal, por nëse skandali është i vërtetë apo jo.

3. Akuza se ka qenë agjenti i FBI-së shoku i Edi Ramës që ka ndikuar mbi vendimin e Departamentit të Shtetit për të deklaruar Sali Berishën dhe familjen e tij si “persona non grata” për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, është një shpikje e dukshme: Masa e Departamentit të Shtetit është e majit 2021, ndërsa agjenti mik i Edi Ramës ishte larguar nga FBI në shtatori 2018, pra tre vite më parë. Ndërsa në vitin 2021 ai ishte tashmë nën hetim për vete për marrëdhëniet me oligarkun rus pas denoncimit nga ish e dashura Allison Guerrero. Këto tre fakte dëshmojnë përtej çdo dyshimi logjik se akuzat për Edi Ramën se ka përdorur marrëdhëniet e tij me agjentin e FBI-së për të shkatërruar opozitën shqiptare, janë absolutisht të shpikura. Nëse ata pak militantë që i besojnë akoma Sali Berishës do ta ndjekin në shesh, elektorati gri nuk i beson aspak, dhe për opozitën është problem i madh, pasi është pikërisht elektorati gri i vetmi në gjendje të transformojë një protestë partie në një “uragan popullor”. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe prej kohësh është nën sytë e të gjithëve: Edi Rama nuk kishte nevojë për askënd që të shkatërronte opozitën, sepse opozita u shkatërrua me duart e veta. Fillimisht me Lulzim Bashën që për tetë vite ishte një marionetë në duart e Sali Berishës dhe pastaj me vetë Berishën që zbriti në fushë e që me inat dhe hakmarrje përçau në mënyrë të pariparueshme krijesën e tij. Për të shpresuar që Edi Rama të shkojë në shtëpi, nuk duhet asnjë protestë në shesh dhe nuk vlen as pritja e një uragani popullor që s’ka për të ardhur kurrë. E vetmja gjë e logjikshme që duhet të ndodhë është që Sali Berisha të tërhiqet përgjithmonë nga jeta politike dhe të çlirojë Partinë Demokratike jo vetëm nga prania e tij, por edhe nga fantazmat që ai përfaqëson.