Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave, një pol kulturor multifunksional, dedikuar fëmijëve
Një investim i ri për vogëlushët e kryeqytetit dhe jo vetëm, do t’i shtohet së shpejti panoramës së liqenit artificial të Tiranës. Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave, me sipërfaqe rreth 5500 m2, është projekti më i ri, i parashikuar të ndërtohet përgjatë 2 viteve, duke filluar zbatimin nga 2023.
Investimi do të jetë pjesë e Tirana Park Extention, duke shërbyer si një pol kulturor multifunksional, dedikuar fëmijëve të grup moshave 3-12 vjeç, për të zhvilluar aftësitë e tyre, për t’i qasur me librin, për të nxitur ndjenjën komunitare; etj.
Projekti synon krijimin e 5500 m2 sipërfaqe të shfrytëzueshme për aktivitete social-kulturore, ku përfshihen sipërfaqe skenike, performuese, klasa aktrimi, kërcimi, muzikë, pikturë, skulpturë etj, si dhe ambiente ndihmëse për sallën e teatrit, punishte për skenografinë, kostumografinë, krijimin e kukullave, garderobë, ambiente teknike, etj. Vendndodhja e Qendrës, pranë Parkut të liqenit krijon mundësinë e lidhjes me natyrën, si një pjesë e rëndësishme për zhvillimin e tyre, por edhe për kulturën e ruajtjes së mjedisit.
Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në prezantimin e projektit nga arkitekti krijues Xavier de Geyter, si dhe vendosjen e gurit të parë të themelit për nisjen e punimeve.
* * *
Ishte e paimagjinueshme që fëmijët të mos kishin një qendër të denjë artistike dhe kulturore, një teatër të denjë kukullash, por vazhdonin të frekuentonin teatrin e vjetër i cili edhe tani i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë dhe një restaurimi bashkë me rikonstruksionin, pasi është monument kulture i mbrojtur.
Mirëpo jo të gjitha gjërat mund të bëheshin menjëherë, jo të gjitha mundësitë i kemi sa ç’kemi nevojat të cilat janë në proporcione shumë më të mëdha sesa mundësitë. Megjithatë ja ku i erdhi dita edhe kësaj vepre të re, e cila siç e patë dhe nga prezantimi jo vetëm do të jetë një hapësirë me të gjitha kushtet për fëmijët, por do të jetë një tjetër shenjë e rëndësishme arkitektonike, një tjetër vepër ikonike e transformimit dhe e modernizimit të Shqipërisë, të kryeqytetit dhe patjetër edhe të një territori të tërë si ky ku faktikisht kjo godinë do të jetë një vlerë e shtuar sëbashku, shpresoj së shpejti dhe me Bibliotekën e re Kombëtare, që është një tjetër projekt fantastik, por që siç na duhet të çlirojmë rrugën e zënë nga drejtësia e korruptuar me truallin në anën tjetër, ashtu na duhet edhe të sigurojmë financimin masiv që ka nevojë gjë që jam i bindur do të arrijmë ta bëjmë në një kohë të arsyeshme
Nuk dua të zgjatem më tutje, por dua vetëm të theksoj diçka, që përtej godinave, përtej infrastrukturave të reja, përtej kushteve të reja optimale na duhen njerëz të përkushtuar, të kualifikuar dhe të angazhuar për t’i mbushur këto hapësira me përmbajtje po aq cilësore. Është një sfidë më vete që të kesh në Tetarin Kombëtar një përmbajtje po aq cilësore sa Tetari i ri Kombëtar që është vepër e një arkitekti të shquar siç është kjo vepër e një tjetër arkitekti të shquar dhe të jesh në lartësinë e këtyre veprave nuk është e lehtë, por kjo është detyra tjetër e Ministrisë së Kulturës në këtë rast dhe e qeverisë , e jona sëbashku me bashkinë për të arritur që të bëjmë gati një skuadër të denjë për të këtë vepër sepse është një vepër që krijon hapësira për shumë funksione, nuk është thjeshtë një teatër i ri kukullash apo një qendër e re fëmijësh, por është të gjitha këto bashkë dhe edhe më shumë se kaq dhe duke parë këtu edhe një pjesë të komunitetit të pranishëm, kam shumë besim që kemi brumin e duhur për të bërë bukën e duhur edhe në këtë aspekt.
Dua ta falënderoj shumë Xavierin dhe ekipin e arkitektëve nga Brukseli për përkushtimin, por mbi të gjitha për ndjeshmërinë dhe respektin e posaçëm për këtë territor, për territorin tonë, jo thjeshtë këtë këtu, por për çdo vepër që bëjnë sepse nuk importojnë në Shqipëri fabrikime të gatshme për kudoqoftë, por punojnë me shumë pasion dhe me shumë përkushtim e këmbëngulje për të arritur që veprat në Shqipëri pavarësisht se kanë firmën dhe vulën e studios që ka stilin e saj të kenë edhe atë inteligjencën e vet të territorit dhe frymën e vet, të hapësirës tonë, të sintetizuar me stilin e tyre. Kështu që kjo nuk është diçka e thjeshtë, nuk është diçka që mund ta gjesh shpesh dhe për këtë unë jam shumë mirënjohës projektuesve.
Ndërkohë uroj dhe shpresoj që dhe kompania që do të realizojë këtë vepër të jetë në lartësinë e sfidës për të realizuar këtë vepër, këtë projekt jo diçka që ngjan me këtë, por nuk është ky, siç për fat të keq ka ndodhur shpesh në të shkuarën. Gjë që gjithmonë e më pak ndodh sot sepse disiplinimi i projekteve, disiplinimi i kantiereve, disiplinimi i zbatimit të punimeve është bërë gjithmonë e më shumë konsistent dhe i ka ngushtuar hapësirat për të abuzuar dhe për të kaluar mbi arkitektin, për të kaluar mbi vendimmarrësit duke praktikisht, deformuar projektet.
Shumë faleminderit të gjithë atyre që kanë ardhur këtu nga komuniteti dhe shpresoj që në kohën e parashikuar, mbase dhe pak më shpejt të rimblidhemi këtu për të çelur dyert e kësaj qendre e cila siç edhe një sërë veprash të tjera në fushën e kulturës, në fushën e sportit, në fushën e arsimit do të jetë nga më të bukura, në mos më e bukura e këtij lloji në rajonin tonë.