“Programi i kujdesit për dhëmbët dhe kujdesit për shikimin në shkolla po shtirhen në të gjithë vendin. Mbi 114 mijë fëmijë të depistuar për shikimin, 10% e të cilëve kanë rezultuar me probleme dhe janë referuar tek mjeku specialist”

24 Shkurt, Fushë-Krujë – Klinika Stomatologjike e Lëvizshme është ndalur në shkollën “Sulejman Daçi”, në Bubq të Fushë-Krujës, ku ka vijuar programi i kujdesit për dhëmbët për nxënësit e shkollave.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me Ministren e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, kanë ndjekur nga afër këtë program.
“Dy klinikat stomatologjike të levizshme do të mundësojnë që edhe në zonat rurale, aty ku nuk ka një kabinet dentar të instaluar në shkolla, të kryejmë depistime, por edhe trajtime sa i përket kujdesit ndaj dhëmbëve me aparatura bashkëkohore”,- tha Ministrja Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se një tjetër program që është shtrirë në mënyrë kapilare në shkolla është programi i kujdesit për shikimin.
“Kemi arritur të kemi mbi 114 mijë depistime përsa i përket këtij programi dhe rreth 10% e fëmijëve janë referuar tek mjeku specialist, për të garantuar që të kemi dhe një korrektim të problematikave të hershme të fëmijëve që ato shfaqin, nëpërmjet depistimit të hershëm që po kryhet në shkolla”,- tha Manastirliu.
Ministrja Milva Ekonomi ka vleresuar programet e kujdesit shëndetësor në shkolla.
“Ne po sjellin në vëmendje të këtij komuniteti politikat e reja të qeverisë shqiptare që kanë të bëjnë me fëmijët në qendër të vemendjes dhe fëmijët në qendër të vemendjes jo vetëm për të pasur nje arsimim të mirë, por për të pasur edhe një shëndet gjithmonë edhe më të mirë, duke filluar që nga depistimet e me pas edhe shërbimet e tjera që kanë të bëjnë me vaksinimin apo kontrollet e tyre të vazhdueshme”,- tha Ekonomi.
Klinikat Stomatologjike të Lëvizshme janë të pajisura me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë dhe do të shërbejnë si kabinete dentare të lëvizshme për nxënësit e shkollave, kryesisht në zonat rurale dhe ato periferike. Përgjatë viteve 2021-2022 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka investuar në strukturat e kujdesit të arsimit parauniversitar me 19 njësi të reja dentare, ku 10 prej tyre u instaluan në Tiranë dhe të tjerat në tre qarqe, Elbasan, Durrës dhe Shkodër. Edhe këtë vit, MSHMS do të vijojë investimet në shkolla për të zgjeruar bazën e njësive dentare me unite të reja në të gjithë Shqipërinë.