Nga Elisa Spiropali/

Të gjesh arsye se pse opozita ka humbur toruan dhe shkruan skenarë teatrosh që i reciton ditë e natë si të vërteta të epërme, është padyshim një mision i pamundur. Sepse kërkon shumë kohë të listohen të gjithë dramat e traumat e humbësve serial, që tani po gjejnë shkak të tyre manipulimin dhe blerjen e Amerikës. Është dhe më keq nëse besojnë se ju ka rënë papritur lotaria Grata e Vinci dhe të gjithë bashkë, grata e non grata gërvishtin nervat e miletit se këtej e andej Atlantikut ka ardhur dita e qametit. Një thriller trillimesh dhe mashtrimesh, politikë për dy aspra dhe ligësi njerëzore, yxhym gënjeshtrash dhe yrysh dallaveresh, të gjitha me një qëllim: krijimin e një realiteti paralel, që edhe nëse nuk e beson njeri, ta përdorin për të jetuar vetë si rimishërim i xhenetit të tyre të djeshëm në pushtet. Kush flet për drejtësi dhe kush i bën apel drejtësisë sot?! Eshtë po i njëjti individ, kryeministri i tyre, ai që ka sjellë në Shqipëri intifadën e gurëve dhe të baltës, mëkati fillestar i politikës tranzicionale dhe modeli më i shëmtuar i saj, që në 21 janar 2011 jo vetëm pushkatoi katër protestues të pafajshëm, por me kokëfortësi mbajti të fshehur në bodrumet e godinës gjithë zinxhirin komandues të gardës që qëlloi mbi protestuesit.

Jo vetëm nuk lejoi kurrë që ata të përballeshin me prokurorinë, por sulmoi publikisht dhe paburrërisht kryeprokuroren, vetëm sepse ajo po bënte detyrën e saj; po hetonte. Halli gjigant i Berishës së madh kur pa Berishën junior që të kalonte portën e SPAK-ut është shkaku i marrëzise së radhës. Berisha Junior u pyet për tragjedinë e Gërdecit ku mbetën të vrarë 26 njerëz, kurse Berisha i madh bllokoi foltoren e Kuvendit për të shndërruar atë dhe njëherë si përherë në llogore për paudhësitë e familjes së tij politike dhe biologjike. Ky njeri që në karrierën e tij, pas çdo krimi ose manovre korruptive në pushtet nuk e lejoi kurrë drejtësinë të prekte zyrtarët apo familjarët e tij, dhe që historikisht drejtësinë e ka konsideruar thjesht një plaçkë në tavolinën e pushtetit, sot gjen kurajo dhe bën moral me një shpifje djallëzoren për një hetim dhe gjykim që nuk ekziston, për më tepër çështje që tanimë është në fazën e gjykimit nga drejtësia amerikane dhe jo më në fazën e hetimit. Është për të vënë kujen nga absurdi dhe për të qeshur nga grotesku që pikërisht ky njeri që nuk ka kërkuar kurrë falje për katër viktimat e 21 janarit, as për 26 viktimat e Gërdecit, as e as për shumë të tjera, ka ngritur një stuhi në filxhan kafeje për një çështje që nuk është shqiptare, por i takon drejtësisë amerikane, një drejtësi që nuk ka asgjë të ngjashme me gërmadhën e drejtësisë që ngriti si deshi, e përdori si deshi dhe kur deshi Sali Berisha, familja dhe oborri i tij. Drejtësia amerikane, krejt e kundërta e drejtësisë me plepa dhe pyka të Berishës, ka mbyllur hetimet dhe ka ngritur akuzat e saj ndaj vetëm një ish zyrtari të lartë të FBI.

Tensioni i opozitës tregon dëshpërimin e pashmangshëm të saj, tani që provat e reja po nxjerrin në dritë përgjegjësinë e tyre për vrasjet shtetërore të 21 Janarit, të kryera me urdhër nga godina e kryeministrisë. Berisha i madh ka frikërat e tij, ndërsa ju zoti Bardhi, pavarësisht se sa ndryshe hiqeni dhe sa ndryshe shpresoj të jeni, përpara drejtësisë jeni bashkëfajtorë me të. Askush nga ju nuk u distancua, nuk u pendua, nuk mbajti përgjegjegjësi publike për krime shtetërore. Madje ju nuk dyshuat dhe nuk u distancuat, as kur ai që pretendon kujtesë fenomenale dhe se njeh fije për pe lidhjet e cdo familjari, ambasadori, zyrtari dhe kundërshtari, nuk njihte baxhanakun e tij. Tani le të vijmë te cështja, nënprodukt i hallit tuaj të përbashkët. Rasti McGonigal ka të bëjë me atë se si dhe sa i ka zbatuar një zyrtar i lartë i FBI rregullat, kodet etike, ligjet e vendit të tij. Ai sot është nën hetim për dy çështje në vendin e tij. Së pari në një dosje më vete, për lidhjet e tij me rusët, çështje kjo që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë.

Së dyti, në një dosje tjetër ai akuzohet për deklarime të rreme dhe falsifikime dokumentesh në raport me disa udhëtime dhe takime që ka bërë në Ballkan, në Bosnje, Kosovë, Shqipëri si dhe në Austri. Por që të kuptohemi drejt. Në dosjen e hetuar e cila tanimë është në gjykim, ndryshe nga sa thoni ju, akuza për korrupsion nuk ka. Zero! Sigurisht që ju, si deputetë të udhëhequr nga një nongrata, do donit që të gjithë të ishin si lideri juaj. Por mjafton t’i referohemi aktakuzës së drejtësisë amerikane për të parë të vërtetën. Kështu për çështjen tjetër, marrjen e parave të McGonigal nga Personi A, aktakuza sqaron në pikën 27 se paratë janë marrë për tu rikthyer. Shkelja që ngre aktakuza në këtë rast është mosdeklarimi, jo marrja e parave. Në asnjë moment, Aktakuza nuk lidh takimet e Ramës me paratë që McGonigal ka marrë nga miku i tij. Tani le të vijmë pikërisht këtu, te takimet e McGonigal dhe Kryeministrit Rama, takime të cilat sikurse edhe takimet e tij të tjera në Ballkan, McGonigal akuzohet se nuk i ka deklaruar. Deklarimi i udhëtimeve apo takimeve ishte një detyrim që e kishte McGonigal si zyrtar i lartë i FBI, bazuar mbi ligjet amerikane, por ky nuk ishte një detyrim ligjor i kryeministrit shqiptar. E nëse McGonigal ka shkelur ligjin, ky është një problem i tij me drejtësinë amerikane.

Çfarë është shumë e rëndësishme, në aktakuzë nuk ngrihen akuza apo dyshime që ndonjë qytetar shqiptar të ketë patur sjellje korruptive në ndërveprimet e veta me zotin McGonigal. Në aktakuzë nuk ka asnjë përfundim që të tregojë se ndonjë qytetar shqiptar mund të ketë dhunuar ligjet e SHBA-ve. Zero! Po aq zero sa zelli juaj për të gjetur dicka që të lidhë institucionet shqiptare me shkelje të mundshme të ligjeve të Shteteve të Bashkuara. Ju akuzoni paturpësisht se FBI është përdorur nga qeveria për të hetuar skandalin e lobimit me paratë ruse të PD përmes Nick Muzin. E vërteta është se datat e përmendura në aktakuzë si datat kur McGonigal ka marrë informacion për çështjen e lobimit të një partie të ndryshme nga ajo e kryeministrit, përkojnë me kohën kur në Shqipëri kishin dalë një sërë publikimesh mediatike mbi skandalin e lobimit të PD. Thënë kjo, çështja nuk ka qenë e fshehur, përkundrazi, ajo ka qenë fokusi kryesor i debateve publike në vend. Televizionet dhe mediat online zienin asokohe për lobimin e partisë demokratike me Nick Muzin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I vetmi që bënte sikur nuk e besonte, ishte vetë Berisha, i cili më pas, atëherë kur i duhej që historia të ishte ndryshe, i kërkonte Bashës të tregonte thesin ku fshihte rublat. Fantazia juaj arrin kulmin kur thoni se qeveria paska bërë biznes me një rus të sanksionuar nga SHBA, oligarkun Deripaska. Në fakt, Deripaska ka patur vetëm 25.9 përqind aksione në kompaninë Strabag, e cila është më e madhja në fushën e ndërtimit në Austri dhe nga më të mëdhatë në Europë. Në momentin kur Deripaska është futur në listën e saksioneve të Bashkimit Europian, pas pushtimit rus të Ukrainës, ai ka dalë nga kjo kompani.

Ndërkohë, kryetar i Bordit të Strabag është Alfred Gussenbauer, ish Kryeministri Austriak. Kompania Strabag ka në pronësi Kompaninë Trema, e cila ka përfituar kontrata publike edhe përpara vitit 2013, qoftë nga FSHZH (2010 dhe 2011), qoftë nga Ministria e Bujqësisë për rehabilitimin e Digës së Torrovicës në 2011, apo për zgjerimin e aeroportit të Rinasit në 2008. Po aq e gënjeshtërt është edhe akuza juaj se ne i paskemi dhënë zotit Deripaska statusin e investitorit strategjik. Mjafton të bëni një kërkim të thjeshtë për listën e plotë të subjekteve që kanë përfituar këtë status dhe do të shihni se emri i rusit tuaj nuk rezulton në atë listë. Madje deri më sot, nuk ka asnjë raportim që të tregojë se Deripaska ka shkelur në Republikën e Shqipërisë. Pra edhe kjo akuzë e juaja është po aq qesharake sa lajmi grotesk që prodhuat se McGonigal na i kishte dhuruar kryeministrit një pajisje përgjimi, kur në fakt bëhej fjalë vetëm për një suvenir. Instikti juaj që nuk shkon përtej vënies së syrit në vrimën e celësit edhe kësaj here ju la në baltë. Në fakt fiks aty ku e keni vendin.

Të dashur qytetarë shqiptarë,

“21 Janari” dhe “Gërdeci” në duart e drejtësisë së re kanë turbulluar edhe më shumë ujërat në moçalin e opozitës, që tani kërkon të mbysë në batakun e vet, një Shqipëri të tërë.

Ata që nuk patën kurrë kurajo të kërkonin falje për krimet e tyre, sot çirren për krime dhe hetime që ekzistojnë vetëm në kokën e tyre! Për fatin tonë të mirë, përballë mosarsyes dhe ulërimws së tyre kemi pasqyrën e fakteve të zbardhura nga drejtësia amerikane: Një ish-zyrtar i FBI që akuzohet për mosdeklarim udhëtimesh, kontaktesh e parash të dhëna nga miku i tij. Zero akuza për korrupsion apo rryshfet. Asnjë akuzë ndaj kryeministrit, qeverisë shqiptare apo mbi ndonjë qytetar shqiptar! Asnjë lidhje mes takimeve të kryeministrit shqiptar me McGonigal dhe përfundimeve të hetimit amerikan! Më vjen keq që nuk mund t’ju ndricoj më shumë. Për një të mencur edhe një qiri i vetëm do të tregonte udhën e duhur, por për shejtanët që në fillim, prodhojnë gënjeshtrën dhe pastaj rreken ta shesin atë si të vërtetë të epërme, nuk mjafton as gjithë dritat e diellit. Këto që thashë nuk janë për ju, por për qytetarët shqiptarë që e dinë mirë se kur dikush apo edhe një popull i tërë mund të gënjehen njëherë, por jo për gjithmonë. Koha juaj ka mbaruar, koha e bashkëjetesës suaj me gënjeshtrat tuaja është e gjitha në dispozicion për ju! Po flas për kohën e atyre që ju kanë marrë peng edhe juve, Z.Bardhi! Çlirim të mbarë!