Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri bashkë me kryebashkiakun Gledian Llatja zhvilluan një bashkëbisedim me banorët e Labinot Mal në Elbasan.
Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri siguroi banorët se Gledian Llatja ka mbështetjen edhe të qeverisë shqiptare. ” Gledi përfaqëson jo vetëm qytetarët e Elbasanit, por edhe qeverinë, është përfaqësuesi i Edi Ramës si kandidati ynë, ka dhe mbështetjen time si Sekretar i Përgjithshëm i PS. Me gjithë këto mbështetje, të gjitha premtimet e Gledit, do të bëhen realitet. Detyra e Gledianit është të bëjë projekte dhe të marrë mbështetje nga qeveria, të administrojë mirë të ardhurat e bashkisë së Elbasanit që janë taksat tuaja”, tha ai.
Numri dy i socialistëve renditi një sërë investimesh që janë në proces si rrugët e mëdha, shëtitorja në Elbasan, si edhe të gjitha ndërhyrjet e tjera që po ndodhin në Bashkinë e Elbasanit. Duke u ndalur tek fshati, Gjiknuri vlerësoi idenë e kryebashkiakut Llatja për ndarjen në dy pjesë të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike për të ndërhyrë në mirëmbajtje rruge në kohë. ” Gledi gjatë kësaj kohe këtë punë e ka bërë mirë, sepse ka dhënë më shumë mbështetje financiare për zonat rurale. Edhe në buxhet shumicën e fondeve e ka kaluar në zonën rurale”tha ai.
Teksa kërkoi mbështetjen në zgjedhjet e 14 majit, Gjiknuri u ndal dhe tek kandidatura e ofruar nga opozita, e cila ka treguar se është një kandidaturë humbëse. “Me votën për Gledin si kryetar bashkie, dhe me votën për keshillin socialist investimet do vazhdojnë. Ka mbështetje PS dhe kryeministrin, ndërsa krahu tjetër nuk ofron asgjë. Thanë do bëjnë revolucion, përfunduan tek oborri i PS. Krahu tjetër nuk ofron asnjë mbështetje sepse edhe në të kaluarën nuk ka bërë asgjë. Do vijnë, do premtojnë se do bëjnë punë, por nuk kanë me kë ti bëjnë. Zgjedhjen e kemi shumë të pastër shumë të qetë, por duam mbështetjen edhe tuajën për të bërë të mundur premtimet që kryetari i bashkisë ju bëri. Por mos harroni, se do të keni edhe mbështetjen time si deputet i zonës suaj. Jam këtu që të jap angazhimin tim se të gjitha premtimet do të bëhen realitet”, përfundoi Gjiknuri.
Kreu i bashkisë Gledian Llatja vuri theksin edhe tek investimet që janë realizuar në këtë zonë, duke shtuar se ” janë hapur edhe këtu disa kantiere ndërtimi, më kryesori ai i Korridorit të 8, që u ka ofruar mundësinë e punësimit shumë djemve nga kjo zonë”. “Bashkë me qeverine shqiptare ne kemi projekte të mëdha për Elbasanin me qëllimin rritjen e zhvillimit ekonomik, që të kemi më shumë të ardhura me qëllim që të vazhdojmë punët. 50 përqind e buxhetit të bashkisë shkon për fshatin. Jam i bindur se me mbështetjen e Sekretarit të PS, Damian Gjiknuri, i cili është edhe deputeti i zonës, do të bëjmë punë të mira për fshatin dhe për të gjitha njësitë”, tha Llatja, duke u premtuar banorëve se do të jetë pranë tyre në çdo problematikë.