Fatbardh Kadilli deklaroi se e sheh të pamundur përmbysjen e Erion Veliajt nga kreu i bashkisë së Tiranës. Ai tha se PD nuk po krijon dot projekt të ri dhe e vjetra i duket si e re.

“E shoh të vështirë përmbysjen e Erion Veliajt nga kreu i Bashkisë së Tiranës. Nuk e shoh të ndodhë. Ndarja është shumë e thellë. E vetmja gjë e mirë që unë pres në këto zgjedhje, edhe nëse nuk ndodh, të paktën do ketë përfaqësues të opozitës në këshill. Në këtë situatë që jemi sot është anomali e madhe që të mos kesh përfaqësues të opozitës në këshill. Nuk po krijojmë dot projekt të ri. Na duhet e vjetra si e re. 14 Majin e shoh si moment përcaktues për zhvillimet e opozitës. Ka shumë mundësi të përjetojmë rënie më të madhe morale. Depresion më të madh politikisht. Sepse jam në kontakt me dy grupet”, deklaroi Kadilli.

Kurse Arben Skenderi u shpreh se Këlliçi rrezikon në garën e tij për Tiranën nëse del në fushatë nën ombrellën e Sali Berishës.

“Nëse Këlliçi bën fushatë nën ombrellën e Sali Berishës gjasat që të dalë i nderuar janë shumë pak. Të kesh kapacitete ta bësh është një gjë tjetër dhe të kesh mendësinë të ecë përpara pa u varur politikisht është tjetër gjë”, tha Skënderi.