Në COD, në Kryeministri, vijon të qëndrojë e hapur ekspozita me piktura të Rexhep Selimit, të krijuara gjatë qëndrimit të tij në ambientet paraburgimit në Hagë.

Ekspozita “Në emër të lirisë” që ekspozon rreth 157 punime artistike, u hap në ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës në nder të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin qëndrojnë sot të burgosur në Hagë.

Kreu i Instituti i Studimeve Sociale dhe Humane, Leart Kola, në një intervistë për Report TV ka deklaruar se Gjykata po i mban padrejtësisht në qeli ish drejtuesit e UÇK, pasi është përtej çdo afati dhe për më tepër ata po mbahen pa asnjë provë për akuzat ndaj tyre.

“Në nëntorin e vitit të kaluar bëhen dy vjet, që ata mbahen të burgosur pa nisur procesi fare. 2 vjet e gjysmë të mbash dikë në paraburgim, në izolim, pa çështje, është jashtë çdolloj standardi të të drejtave të njeriut,” u shpreh ai.

“Më në fund edhe me presionin ndërkombëtar, është caktuar data 3 Prill për të nisur procesi i gjykimit, megjithatë ne kemi rastin e dëshmitarëve, ku gjykata ka aprovuar nga prokuroria 300 dëshmitarë. Vetëm për të bërë një krahasim, Milosheviçi që gjykohej në Hagë për të gjithë luftërat në Jugosllavi, ka pasur 80 dëshmitarë. Kjo është e papranueshme, 300 dëshmitarë, prej të cilëve në rastin e Rexhepit janë, shumë pak të cilët kanë lidhje me të, do të thotë që dëgjimi i të gjithë këtyre dëshmitarëve do zgjasë 3 vjet. Kjo lodhje, ky stërmundim na kujton shprehjen e famshme Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar,” nënvizoi ai.

Ai tha se askush nuk mund të qëndrojë dy vjet e gjysmë pa e ditur se për çfarë po gjykohet.

“Dy vjet e gjysmë pa patur një nisje të procesit dhe pastaj ta di që procesi në vetvete administrativisht do të zgjasë tre vjet, sepse e kane të pamundur ta bëjnë më shpejtë dhe për mënyrën se si e kanë ndërtuar. Kjo nuk ka për të qenë një garë e shpejtë, ka për të qenë një maratonë, për ata por edhe për ne. Këto vite janë të rëndësishme për ne si shoqëri për ta mbajtur gjallë këtë diskutim dhe për të parë se çfarë janë gjërat e rëndësishme,” theksoi Kola.