Çfarë nuk bënë drejtuesit e PSG-së për Neymar? Ata thyen rekordin e transferimit më të shtrenjtë në historinë e futbollit, duke shpenzuar 222 milionë euro më 2017, i ofruan një kontratë faraonike, ia falën dëshirën për t’u larguar në vitin 2019 dhe madje ia zgjatën kontratën deri në vitin 2027, pavarësisht të gjitha pengesave. Por duket se “humori” ka ndryshuar kohët e fundit.

A janë lodhur sheikët nga Katari duke parë të njëjtat probleme, sezon pas sezoni, pavarësisht nga identiteti i trajnerit? Ndoshta. “Ne nuk duam më yje të shkëlqyeshëm, por grup fitues. Ky është fundi i shkëlqimit individual te PSG”, – paralajmëroi Nasser Al-Khelaïfi qershorin e kaluar për të shënuar fillimin e një epoke të re të supozuar.

Megjithatë, sot më shumë se kurrë, PSG është e varur nga tri yjet e tij sulmues, nuk ka pothuajse asnjë alternativë dhe e gjen veten në pikë të hallit për t’u përballur me Bayern Munich në Ligën e Kampionëve.

Tashmë, verën e kaluar ju zbuluam se Luis Campos, këshilltar futbolli i Nasser Al-Khelaïfi, kishte hapur derën për një largim të Neymar. Aq më tepër që braziliani dukej se e kishte kuptuar se Kylian Mbappé nuk ishte kundër largimit të tij për të pasur frerë të lirë. Një sekuencë mjaft e tensionuar pasoi në gusht gjatë ekzekutimit të një penalltie, ku doli hapur tensioni mes dy yjeve.

Sot, sipas informacioneve të “Foot Mercato”, që e ka bërë këtë shkrim, drejtuesit e lartë në Doha kanë bërë zgjedhjen për të ardhmen e numrit 10. Ata dëshirojnë që Neymar të largohet në fund të sezonit.

Një dëshirë e qartë, e përforcuar javët e fundit nga paraqitjet shumë zhgënjyese të brazilianit, për të mos përmendur qëndrimin problematik ndaj shokëve të skuadrës gjatë ndeshjes ndaj Monaco. Mbetet për t’u parë se kush do të trokasë në derë për lojtarin 31-vjeçar dhe nëse do të jetë i prirur të ndryshojë edhe “melodinë” e tij.

Çështja tjetër e ndezur ka të bëjë me zgjatjen ose jo të Lionel Messit. Kohët e fundit shpesh shkruhej se tendenca ishte për një zgjatje të argjentinasit. Nëse ende nuk përjashtohet, kjo hipotezë nuk është aktualisht e favorizuar nga “Pleshti”. Kampioni i botës ka jo pak dilema në mendje.

Padyshim që ka ende kohë për të ndryshuar mendje, veçanërisht pasi PSG, edhe pse ka mbajtur kontakte të përhershme me përfaqësuesit e Messit, do të ndërhyjë me “sëpatë” në rast eliminimi nga Liga e Kampionëve. Rasti i dy ish-lojtarëve të Barcelonës mund të jetë përfundimisht i ngjashëm dhe më pas presidenti i PSG-së mund të flasë për një epokë të re.