Inter dhe Milan luajnë sot në 20:45 në derbin e qytetit, të vlefshme për javën e 21 në Serie A. Para ndeshjes për mediat foli edhe trajneri zikaltër, Simone Inzaghi. Numri një i pankinës së Inter tregoi respektin për kundërshtarët, teksa nuk harroi të kujtonte se Skriniar s’do mbajë më shiritin e kapitenit.

“Derbi është i veçantë. Milan nuk po kalon një moment të mirë, por ata janë kampionë të Italisë dhe në fazën e 1/16-tave në Ligën e Kampioneve. Ata kanë cilësi, unë i respektoj. Ne duhet të vendosim cilësinë në fushë, të jemi të vendosur e të vëmendshëm. Do të japim gjithçka në fushë. Derbit janë gjithmonë histori më vete, kampionët përballen me zhgënjime, por zgjidhja më e mirë është që t’i përballojmë me përqendrimin e duhur dhe të qëndrojmë të ekuilibruar”, tha fillimisht trajneri.

Shiritin e kapitenit nuk pritet ta mbajë Milan Skriniar, i cili do të luajë deri në fund të sezonit me skuadrën zikaltër, përpara se të kalojë te PSG si transferim i lirë në verë.

“Nuk e gjykoj vendimin e tij, merrem vetëm me njeriun dhe futbollistin. Ai është djalë i shkëlqyer, me shumë mundësi do të jetë pjesë e ndeshjes. Për atë që ka ndodhur, nuk do të jetë më kapiteni ynë. Kapiteni ynë është Handanoviç, pastaj me radhë Brozoviç dhe Lautaro”, tha Inzaghi.

Para derbit, Inter me 40 pikë është në vendin e dytë, teksa Milan me 38 pikë në vendin e pestë.