Sali Berisha nuk është në sallë për shkak se është i përjashtuar 10 ditë, mirëpo ndonëse ai nuk është në sallë, ‘Foltorja’ e Kuvendit është bllokuar sërish, kësaj here nga deputetët mbështetës të tij. Luçiano Boçi, Tritan Shehu dhe Albana Vokshi janë shprehur se procesverbali i seancës së kaluar parlamentare është në shkelje të rregullores, pasi nuk është pasqyruar ashtu siç duhet ajo se çfarë ndodhi, pasi për ta përjashtimi i Berishës dhe i 4 deputetëve të tjerë, Belind Këlliçi, Edi Paloka, Flamur Noka dhe Edmond Spaho ishte pa asnjë arsye.

Ditën e sotme pritet që të zhvillohet interpelanca mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeajt mbi çështjen e zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal. Deri më tani kreu i qeverisë ende nuk ka shkuar në Kuvend dhe nuk dihet nëse do ia delegojë interpelancën ministres Elisa Spiropali.