Vendet e bllokut europian u pajtuan me vendosjen e çmimit tavan mbi produktet ruse të naftës, kufizim ky përmes të cilit BE kërkon të ulë të ardhurat financiare të Rusisë për luftën në Ukrainë.

Sipas diplomatëve në Bruksel, çmimi i parashikuar është 100 dollarë për fuçi për produkte derivate si dizeli dhe 45 dollarë për fuçi për produkte më të lira si vaji për ngrohje.

Ky vendim pason një propozim të Komisionit Europian, sipas të cilit çmimet tavan do të hyjnë në fuqi nga e diela. Pas kësaj, edhe vendet e G7-s dhe Australia deklaruan se kanë rënë dakord për kufizime të tilla. Polonia dhe shtetet baltike, Letonia, Lituanua dhe Estonia kishin kërkuar, sipas diplomatëve çmime edhe më të ulta, gjë që i shtyu me disa ditë negociatat.

Në fillim të dhjetorit BE, G7 dhe Australia kishin vendosur një çmim tavan për naftën e papërpunuar ruse me 60 dollarë. Shoqërive perëndimore të anijeve dhe sigurimeve iu lejohet transporti dhe sigurimi i produkteve ruse të naftës vetëm nëse në blerje janë zbatuar rregullat e vendosura për çmimin tavan.

Ministrja amerikane e Financave, Janet Yellen deklaroi, se ka shenja se çmimet tavan zvogëlojnë të ardhurat ruse nga nafta e papërpunuar. Sipas një vlerësimi të bërë të ditur, nga presidentja e KE, Ursula von der Leyen të enjten nga çmimi tavan aktual Moska humb 160 milionë euro në ditë.