Më shumë se 200 mijë turistë e zgjodhën Gjirokastrën gjatë vitit 2022. Nuk ishin vetëm vizitorë vendas, por edhe të ardhur nga Italia, Çekia, Polonia dhe vende të tjera të Europës. Ecuria e mirë e turizmit në vitin e kaluar ka bërë që të rritet kërkesa për të hapur biznese të reja në qytet. Investimet më të shumta janë përqendruar në pjesën e pazarit karakteristik. Bizneset janë të sektorëve të ndryshëm. Ata që i kanë hapur rishtazi kanë synim që t’iu shërbejnë sa më mirë turistëve për t’i mikpritur.

“Ne vendosëm të hapnim biznes në Pazar se pamë që kishte lëvizje, qyteti filloi të gjallërohej, qyteti filloi të kishte një ngritje shumë të madhe dhe vendosëm të hapnim një biznes të ri këtu. Bëmë një investim familjar dhe deri më tani kemi ecur mirë”, u shpreh Kujtim Shehu, administrator biznesi.

“2022 ka qenë viti i bizneseve. Edhe lokali që unë menaxhoj është hapur gjatë vitit 2022”, tha Marsel Zani, menaxher lokali.

Hapja e bizneseve të reja dhe zgjerimi i atyre ekzistues, ka bërë që të ketë më shumë vende pune. Numri i të punësuarve pritet të rritet edhe më shumë gjatë këtij viti.

“Gjatë verës 2022 bizneset, kryesisht baret, restorantet, njësitë e akomodimit krijuan vende të reja pune duke sjellë mundësinë e punësimit të të rinjve. Shpresojmë që edhe gjatë verës 2023 ky zhvillim i turizmit të qëndrueshëm të krijojë çeljen e vendeve të reja të punës kryesisht për të rinjtë”, tha më tej Kore.

Për t’i dhënë më shumë hov turizmit, edhe bashkia e qytetit po përgatit kalendarin e aktiviteteve që do të jenë të larmishme edhe këtë vit.