Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbian Mazniku ka deklaruar ditën e sotme se socialistët e kanë garën me standardet dhe aspiratën që kanë për qytetin, në zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Duke folur në Report Tv, Mazniku u shpreh se nuk kanë bërë asnjë herë llogarinë mes tyre dhe kundërshtarit, por raportin që kanë me qytetarin.

“Ne kemi pasur një garë sistematike me standardet dhe aspiratën që ne kemi për qytetin. Dhe kemi bërë në mënyrë të rregullt një llogari që është llogaria midis nesh dhe raporti që kemi me qytetarin. Nuk kemi bërë asnjëherë llogarinë midis nesh dhe llogarinë që kemi me kundërshtarin.
Ne besojmë se nëse i shërbejmë njerëzve si duhet, siç besojmë se i kemi shërbyer dhe shkojmë për t’i kërkuar besimin për të vazhduar për t’i shërbyer do ishim të privilegjuar nëse njerëzit do na e rijepnin këtë besim. Ky është raporti jonë. Nuk ka të bëjë shumë me kundërshtarin. As nëse vjen nga grata dhe non grata. Ky është një raport që as nuk e bëjmë dhe as nuk na pëlqen ta bëjmë”, deklaroi Mazniku.

Ndalur te projektet e nisura nga Bashkia e Tiranës, Mazniku tha se Unaza e Madhe pritet të përfundojë brenda tre vitesh duke pasur parasysh situatën e krijuar me shpronësimet. Këtu ai përmendi Astirin dhe vonesën e krijuar për shkak të opozitës, që ai tha se ka bllokuar Shqipërinë të ecë përpara.

“E gjithë unaza do të kërkojë të paktën tre vjet nga sot për të mbaruar. Duke pasur parasysh që shpronësimet kanë kompleksitetin e tyre. Shembulli i Astirit është një shembull që nga një pikë ku njerëzit kalonin me orë të tëra, sot mund të kalosh relativisht shpejt. Ka moment kur është piku që mund të ngadalësohet. Por nuk duhet të harrojmë që u bllokuam një vit prej njerëzve që e kanë bllokuar Shqipërinë të ecë përpara”, u shpreh ai.

Mazniku komentoi edhe deklaratat për çmimet e apartamenteve në Tiranë. Mazniku u shpreh se ritmi i rritjes së çmimeve në kryeqytet është në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit, duke paralelizuar edhe me standardin në vendet e tjera të rajonit.

“Çmimi mesatar në Tiranë është te vlera 1200 euro. Ky çmim mesatar i matur nga Banka e Shqipërisë në 12 vitet e fundit ka lëvizur 34%. I njëjti çmim për të gjithë anëtarët e BE ka lëvizur 50%. Ritmi i rritjes së çmimeve në Tiranë është pak më i ulët se në BE. Rritja është në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit. Në krahasim me Beogradin, Shkupin dhe Zagrebin nuk është më i lartë. Nuk është detyra jonë si bashki të gjykojmë sa shtrenjtë do bëjë dikush objektin dhe sa shtrenjtë do e shesë. Tirana ka disa grupe të asaj që quhet çmimi i referencës së zonave të ndryshme të saj”, tha Mazniku.