Bonusi prej 10 mijë lekë që kanë përfituar nga Pakoja e Madhe rreth 9604 punonjës policie në të gjithë vendin konsiderohet nga efektivët si lehtësi dhe vlerësim për sakrificën. Një efektive e policisë rrugore thotë se ishte vendimi i duhur i marrë nga qeveria dhe rrit besimin se situata aktuale me çmimet e rritura si pasojë e luftës dhe inflacionit do të kapërcehet me shpejt.

“Ndihma nga pako e madhe është një lehtësi për ne jo vetëm si profesionistë pasi vlerësohet lodhja dhe sakrifica, por edhe si familjarë që duhet të përballojmë çmimet e larta. Përfshirja në Pakon e Madhe mendoj se ishte vendimi i duhur për mua, familjen time dhe të gjithë punonjësit në policinë e shtetit. Kjo na rrit besimin se gjithçka do të bëhet më mirë dhe kjo situatë do të kapërcehet më shpejt”, tha efektivja në videon e publikuar nga Rama.

Po ashtu, kreu i qeverisë thekson se gjatë vitit 2022, Shqipëria pati 30% më pak vrasje, 13.5% më pak aksidente rrugore. Në postimin në Facebook përmend edhe rritjen e pagave të punonjësve të policisë duke thënë se iu shtua bonusi nga Pakoja e Madhe, si një mbështetje plus për të zeruar impaktin e inflacionit të luftës mbi familjet e tyre.