Mijëra besimtarë dhe turistë iu drejtuan Bazilikën e Shën Pjetrit në ditën e dytë të homazheve për nder për ish Papa Benediktin e XVI.

Homazhet për besimtarët janë planifikuar të zgjasin për dymbëdhjetë orë, përpara funeralit mëngjesin e së enjtes, i cili do të drejtohet nga Papa Françesku, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Që në orët e para të mëngjesit në sheshin e Shën Pjetrit në Romë u krijuan radhë të gjata njerëzish që duan të ndahen personalisht me ish-kreun e kishës katolike. Vatikani ka njoftuar se mund të ketë mbi 30.000 vizitorë në ditë.

“Ishte një emocion i madh, por jam e sigurt që ai nuk është më këtu, por është atje në parajsë. Ishte një nderim i duhur. Jam e sigurt se një pjesë e rëndësishme e historisë së kishës është mbyllur dhe tani duhet të vazhdojmë pa të.”

“Ndjej dhembshuri për të. Kam pasur kënaqësinë dhe gëzimin dhe fatin ta takoj kur ishte gjallë. Nuk mund t’i përshkruaj emocionet që ndjej tani, ndjej shumë emocione të ndryshme.”

Varrimi i ish-Papa Benediktit XVI është planifikuar për ditën e enjte dhe ai nuk do të jetë shtetëror, por i thjeshtë. Ceremonia do të fillojë në orën 9:30. Në varrimin e ish-Papës priten rreth 60.000 vetë, mes tyre edhe kardinalë dhe krerë shtetesh. Gjithashtu edhe presidenti gjerman, Frank-Ëalter Steinmeier ka bërë të ditur pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit në Romë. Ndërkaq vdekja e Benediktit hap rrugën që Papa Françesku të dalë në pension.

Një letër dorëheqje është nënshkruar nga Ati i Shenjtë gjatë vitit të kaluar dhe do të mbetet në fuqi në rast se shëndeti i tij rëndohet. Papa Françesku tani është 86 vjeç, një vit më i madh se Benedikti kur doli në pension. Pavarësisht se ka nevojë për një shkop dhe një karrige me rrota për shkak të operacionit që ka kryer në gju, ai nuk tregon asnjë shenjë të ngadalësimit. Udhëtimet janë planifikuar për në Afrikë këtë muaj dhe në Portugali në Gusht.