Publikimi i audiove të Gardës së Republikës më 21 Janar 2011 është një zhvillim i rëndësishëm që provon se kreu i Gardës, ka urdhëruar gjakosjen e turmës, së parrezikshme dhe të paarmatosura më 21 Janar.

Hetimi dhe gjykimi i 21 Janarit në atë kohë është bërë nën terror. Nën terror politik dhe fizik. Për të bllokuar hetimet, Sali Berisha ngriti një komision hetimor parlamentar, që kërkonte të “hetonte dhe gjykonte” puçin e shtetit, që sipas tij ishte bërë nga presidenti i Republikës, kryeprokurorja dhe katër gazetarë.

Ai Komision Hetimor është ngjarja më tragji-komike e historisë së Shqipërisë, pasi përmes teatralitetit dhe banalitetit të anëtarëve të tij, në fakt po varrosej një histori e rëndë kriminale, që kishte të bënte me fshehjen e krimit nga kryeministri Sali Berisha.

Prova e parë, përpjekja për të fajësuar opozitën për vrasjet

Prokuroria duhet të hetojë dhe zbardhë pse u shkua tek vrasja e demonstruesve paqësorë të paarmatosur dhe të pambrojtur, dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, rolin e Sali Berishës në bllokimin e hetimeve, prishjen e provave dhe presionin politik e fizik mbi prokurorë e gjyqtarë.
Dhe kjo është fare e lehtë për t’u bërë. Mafton të merren deklaratat e tij, që po i ribotoj më poshtë.
Në daljen e tij të parë publike më 21 janar në mbrëmje, ai devijoi faktet dhe akuzoi opozitën për vrasje, duke tentuar të manipulojë opinionin publik.

“Në këto përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë dhe demonstrues. Përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto bie mbi organizatorët e skenarit tunizian, mbi pinjollët e ‘Benalive’ shqiptarë.
Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta, familjarëve të viktimave, theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës.”

Pasi shpalosi skenarin e tij haluçinant, duke ju drejtuar gazetarëve me një ton pyetës kërcënues, për të mos dëshmuar atë që panë, ai shkoi edhe më tej, duke kërcënuar njërin prej tyre që të mos dëshmonte, që për pak do ishte vrarë.
Ishte fjala për gazetarin Fatos Mahmutaj, i plagosur nga plumbat e Gardës mbi tavolinën e vendqëndrimit të gazetarëve, duke i lënë të kuptojë se duhet të mohojë plagosjen dhe të pranojë që është gërvishur, se është rrëzuar diku.
“Mund t’ju bëj një pyetje: ju që ishit në të katër anët e kësaj situate me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre. Si nuk arritët ju të filmoni qoftë dhe njërin prej tyre. Çfarë ndodhi me kamerat tuaja?

Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por fatmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë.”

E gjithë kjo buronte nga fakti se ai ishte i sigurtë se askush nuk kishte filmuar vrasjet në mënyrë diskretituese. Dhe mbi të gjitha, ishte i tërbuar që Fatos Mahmutaj, reporteri i ABC Neës, një kanal i perandorisë së tij korruptive, kishte qenë në krah të Hekuran Dedës kur u vra, ishte plagosur dhe kishte rënë i lemerisur nga tavolina. Vëmendja e Berishës shkoi deri tek ai. Ishte në përgjim se kush mund të shërbente si provë.

Vonë rreth orës 12:00 të natës, kur ‘Neës 24’ transmetoi pamjet filmike të vrasjes së protestuesve nga gardistët, ai doli zbuluar. Dhe aty ndryshoi akuzë dhe skenar, duke kaluar nga akuza që protestuesit i vrau Edi Rama, në pranimin e faktit se i vrau Qeveria, pasi ishte grusht shteti.

Ndryshimi i skenarit shpikja e grushtit te shtetit dhe mosdorezimi i gardisteve

Por dhe këtu ka dy momente të rënda, që mjaftojnë për ta arrestuar si prishës të provave dhe ushtrues të presionit ndaj proceseve publike, siç dhe e akuzon SHBA.

E para, ka të bëjë me mosdorëzimin e gjashtë gardistëve në Prokurori.
Tani duhet t’u jepte zemër vrasësve që të mos e tradhtonin. Pasi i mbajti peng në oborr të Kryeministrisë, pasi i mjekoi dhe i shpërbleu me rroga shtesë, dhe pasi u shfaq publikisht me komandantin e Gardës me sy të nxirë nga rrahja, filloi të flasë për një fenomen të ri, për një “Grusht shteti” organizuar nga presidenti, kryetari i opozitës, kryeprokurorja, SHISH dhe media.

Ndërsa Prokuroria kishte dërguar gjashtë urdhër arrestet më 22 janar, ai kishte urdhëruar Drejtorinë e Policisë të mos e zbatonte urdhërin.

Më 23 janar, Lulzim Basha shkoi në zyrë të Bamir Topit për t’i kërkuar që ai të ndërhynte tek Ina Rama të anulonte urdhërat e arresteve.

Sipas dëshmive të tij, Bamir Topi ka këshilluar Luzlim Bashën “të shikojë letrat e veta dhe të jetë në rregull”, pasi hetimet do të vazhdonin dhe ai nuk ndërhynte në atë proces. Thjesht i kishte dhënë besimin Prokurores së Përgjithshme.

Dështimi i Bashës për të anuluar urdhër-arrestet, deklarata e Edi Ramës në mbasdite të 23 janarit dhe këmbëngulja e Ina Ramës gjithë ditën, që t’i arrestonte gjashtë të dyshuarit për vrasje, ngjizi në kokën e Sali Berishës “lidhjen” mes Bamir Topit, Ina Ramës dhe Edi Ramës, si puçistë me një plan të koordinuar.

Drejtori Burgaj kishte gjetur zgjidhjen. Urdhër-arrestet kishin “lapsuse të papranueshme”.

Për herë të parë në historinë e një shteti ligjor, një kryeministër mori përsipër moszbatimin e urdhrave të Kryeprokurores, duke u vetëshpallur vetë agresor, vetë gjykatës, vetë prokuror, dhe vetë garant i Kushtetutës. Në të vërtetë, ky ishte i vetmi element real i “Grushtit të shtetit” atë ditë. Atë e kishë bërë Sali Berisha.

Fshirja e serverit të Kryeministrisë.

Këtu është treguar edhe më tinzar. Më 23 janar ai deklaroi, se më 21 janar, pas konferencës për shtyp, “i kam kërkuar sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave të vërë në dispozicion të Prokurorisë të gjithë videon e Kryeministrisë.
Kryeministria ka një sistem videosh te vetin, përveç asaj që ka Garda, përveç asaj që vendos Policia. Kamerat tuaja ishin të plota.

Në këtë kontekst, me bindjen time kishte një material të plotë për të saktësuar se nga erdhën plumbat, si u vra dhe ku u vranë, pra të gjitha rrethanat.”

Sipas kësaj deklarate të bërë në datën 23 janar, i bie që më 21 janar, rreth orës 20:00 në mbrëmje, Sali Berisha të ketë thirrur në zyrë Gjergj Lezhjen dhe t’i ketë thënë këto që thotë më sipër, pra që të kontrollojë serverin e Kryeministrisë dhe të nxjerrë andej pamjet filmike dhe t’i vërë në dispozicion të Prokurorisë.

Këtë e thoshte më 23 janar. Hëm. Siç doli më vonë nga ekspertiza amerikane, serveri i Kryeministrisë është fshirë rreth orës 01:00 të natës, duke u gdhirë 22 janari.

Pra ai ka tentuar të prodhojë alibi për veten e vet më 23 janar për një krim të zhdukjes së provave që e ka bërë me vetëdije më 21 janar gjatë natës. Djallëzia e Berishës shkon në ekstrem. Ai qëllimisht flet më 23 janar për server të paprishur të Kryeministrisë, që sot të ketë alibi se ai nuk dinte gjë që ishte prishur.

Pra do të mjaftonin këto tre momente, pista e parë e vrasjes nga opozita, dhe pastaj dy zhvillimet e tjera, që kanë të bëjnë me mosdorëzimin e gardistëve dhe fshirjen e provave, që ai të merret i pandehuri i parë i 21 janarit.

Marrja e tij si i pandehur, është një zhvillim thelbësor në këtë ngjarje dhe jep shpresë se hetimi mund të sjellë elementë të rinj.