Spitali Rajonal i Vlorës ofron tashmë shërbim të modernizuar, me teknologji të nivelit të lartë të Dispanserisë dhe Farmacisë, falë investimeve të bëra nga buxheti i shtetit për rehabilitimin e plotë të këtyre mjediseve. Ndërkohë, është në zbatim e sipër një tjetër projekt ambicioz, ai i fuqizimit dhe modernizimit të shërbimit të urgjencës, që synon të vendosë një standard bashkëkohor për qytetarët. Konkretisht në shërbimin e Dispanserisë në vit marrin shërbim të dedikuar rreth 2,500 pacientë kronikë, që kryejnë, jo vetëm konsulta të specializuara pranë mjekëve pneumolog në këtë shërbim, por përfitojnë edhe kryerjen e ekzaminimeve të thelluara të spirometrisë dhe rontgenit. Kryeministri Edi Rama vizitoi sot mjediset e reja të Dispanserisë dhe Farmacisë në Spitalin Rajonal të Vlorës, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu

Përveç rikonstruksionit të ambienteve të urgjencës do të garantohet edhe zbatimi i protokolleve dhe Procedurave Standarde Operacionale, duke nisur nga triazhimi i pacientëve, diagnostikimi, trajtimi dhe referimi i tyre në kohë pranë shërbimeve spitalore apo edhe për trajtime të specializuara në spitalet që ofrojnë shërbim terciar/universitar. Përfundimi i zbatimit të këtij projekti përkon me fillimin e sezonit turistik ku Spitali i Vlorës, si spitali më i madh për rajonin e jugut është një pikë referimi, jo vetëm për vizitorët e bashkisë Vlorë, por edhe të bashkive Sarandë dhe Himarë. Gjate inspektimit ministrja Manastirliu shpjegoi investimet e bëra në shërbimin e Dispanserisë dhe atë të Farmacisë.

“Sapo ka përfunduar një investim mjaft i rëndësishëm për spitalin e Vlorës; janë shërbimi i Farmacisë dhe shërbimi i Dispanserisë. Këto kanë qenë godina të amortizuara ndër vite ndërkohë janë kthyer, janë rijetësuar në shërbime të reja. Mjekët e rinj që janë punësuar janë nga Berati, Gjirokastra, Tirana, Fieri. Spitali Vlorës është tashmë një spital i kompletuar edhe për sa i përket aspektit të trajtimit farmakologjik, për sëmundjet e kancerit dhe të tjera. Jemi në kushtet në standarde shumë më të mira, të ruajtjes dhe të gjithë magazinimit të barnave. Godina tjetër e rehabilituar është dispanseria që ofron shërbime edhe për sëmundje infektive”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja Manastirliu theksoi se, përparësi mbetet përmbyllja e investimit tjetër madhor në shërbimin e Urgjencës dhe më pas në atë të Kirurgjisë, patologjisë dhe në shërbime të tjera shëndetësore.

“Kemi vendosur nga buxheti i shtetit këtë vit për të finalizuar investimin me urgjencën. Urgjenca e spitalit të Vlorës është një urgjencë që pret mbi 40 mijë pacientë, se praktikisht ajo mbështet edhe pret edhe turistët, sidomos ata që vijnë edhe gjatë verës, pra ka një kapacitet të madh. Pas përfundimit të urgjencës, shërbimi i radhës do të jetë shërbimi i kirurgjisë dhe të patologjisë, pra për ta sjellë në standarde ashtu siç kemi investuar edhe për reanimacionin në këtë spital. Ndërkohë kemi edhe investime të tjera, sepse këtë vit nisim edhe investimin e ri në shtëpinë mbështetëse të strukturat e spitalit psikiatrik, një investim që jo vetëm ka nevojë, por do të ndryshojë tërësisht edhe cilësinë e shërbimit në atë spital, dhe për problematikat e shëndetit mendor është i nevojshëm edhe aty zgjerimi i kapaciteteve”, tha Manastirliu.