Nga Hergi Llupi

Luis Nazario De Lima Ronaldo, hyri në skenë në klubin brazilian Cruziero ku shënoi 44 gola në 47 ndeshje. Ai u përfshi në skuadrën e Brazilit fitues të Kupës së Botës në vitin 1994, pas të cilës ai u zbulua nga skuadra evropiane PSV Eindhoven, ku kaloi dy sezone duke shënuar 54 gola në 57 ndeshje.

Ky 19-vjeçar po fitonte ngadalë reputacionin për ritmin e tij, ekuilibrin e trupit dhe një teknikë unike që mahniti tifozët dhe ekspertët e futbollit. Shumë shpejt, gjigantët spanjollë të Barcelonës arritën një marrëveshje me PSV-në dhe Ronaldo luajti për katalanasit në sezonin 1996-1997, ku shënoi 57 gola në 49 ndeshje dhe gjithashtu u bë lojtari më i ri që ka fituar ndonjëherë çmimin e Topit të Artë, një rekord që qëndron edhe sot.

Sezonin e ardhshëm, skuadra italiane e Interit firmosi me yllin brazilian. Ai udhëtoi me skuadrën e Brazilit për Kupën e Botës 1998 me pritshmëri të mëdha. Brazili arriti në finale, por Ronaldo përformoi si një hije e lojtarit që kishte bërë magji deri më tani me topin. E vërteta tronditëse u zbulua, Ronaldo ishte dërguar me urgjencë në spital pasi pësoi një konvulsion në gjumë një natë para finales. Brazili humbi në finale me rezultatin 3-0.

Fatkeqësisht, gjërat nuk mbaruan me kaq. Më 21 nëntor 1999, tragjedia e dëmtimit e preku përsëri, pasi në një ndeshje të Interit ndaj Leçes, ai dëmtoi përsëri gjurin. Pas operacionit dhe rehabilitimit 5 mujor, ai u rikthyer më 12 prill të vitit 2000, ku luajti vetëm 7 minuta në finalen e Kupës së Italisë.

Shumë njerëz e kishin “fshirë” Ronaldon, pasi të pësosh dy dëmtime të rënda në të njëjtin gju nuk është e lehtë, të gjithë mendonin se karriera e tij kishte përfunduar, por nuk ishte kështu, historia e Ronaldos nuk kishte mbaruar.

Ai u tregoi të gjithëve se e kishin gabim, ku shënoi 7 gola në 14 ndeshje për Interin në vitin 2002. Ai kishte ndryshuar stilin e lojës. Braziliani shpalosi stilin e tij të ri në Kupën e Botës 2022 me një efekt shkatërrues, ku ai udhëhoqi Brazilin drejt një tjetër finale të Kupës së Botës dhe shënoi 2 gola. Në atë turne, ai shënoi 8 gola duke marrë edhe çmimin si lojtari më i mirë i kompenticionit.

Më pas ai u transferua te Real Madrid ku iu bë një pritje historike nga tifozët. Duke bërë atë që ai dinte të bënte më së miri, Ronaldo i falenderoi tifozët me 2 gola në debutimin e tij. Pavarësisht nga një seri dëmtimesh, Ronaldo vazhdoi formën e tij të përkryer duke shënuar 104 gola në 184 ndeshje për Realin gjatë periudhës 5 vjeçare në klub.

Ai më vonë mori hak ndaj Barthez, i cili e kishte përplasur dhe e kishte dëmtuar rëndë ne finalen e Kupës së Botës të vitit 1998, duke i shënuar tre gola në Old Trafford, kur francezi luante për Manchester United.

Ronaldo luajti në Kupën e Botës 2006, pavarësisht dyshimeve që u ngritën për gjendjen fizike dhe peshën e tij. Ai përfundoi duke thyer rekordin e Gerd Muller dhe u bë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Kupës së Botës me 15 të tillë. Ronaldo më vonë u transferua te Milan në Itali, ku shënoi 8 gola në 20 ndeshje dhe për herë të tretë dëmtoi gjurin.

Milan nuk e rinovoi kontratën e tij në fund të sezonit. Ronaldo, sërish u dëshmoi të gjithëve se e kishin gabim. Ai nënshkroi për Corinthians ku shënoi 30 gola në 55 ndeshje.

Historia e futbollit ka treguar qartë se dëmtimet e rënda të lojtarëve të klasit të lartë, kanë bërë që ata të tërhiqen nga futbolli ose të bien në formën e tyre më të keqe.

Çfarë bëri Ronaldo? I tregoi të gjithëve se të jesh më i miri, të jesh Fenomen, duhet të shtrëngosh dhëmbët dhe të luftosh. Të shfaqësh talentin në ditën tënde më të keqe.