Policia e Shtetit njoftoi sot se, ekipi i Renea-s shpëtoi 43-vjeçarin që kishte mbetur mbrëmjen e djeshme në kanionet e Gramshit.
Sipas njoftimit të policisë, operacioni i evakuim-shpëtimit nga forcat speciale Renea u zhvillua në një terren shumë të vështirë ndërsa 43-vjeçari ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

“Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shtetasin A. D., i cili kishte mbetur i bllokuar midis shkëmbinjve, në vendin e quajtur “Kalaja e Tërvolit, Gramsh, ku kishte shkuar për të vizituar kanionet, ju informojmë se pas marrjes së njoftimit mbrëmjen e djeshme, u nisën në ndihmë të tij shërbimet e Policisë të Komisariatit Gramsh, shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” të DVP Elbasan dhe shërbimet zjarrfikëse. Për shkak të errësirës dhe terrenit mjaft të vështirë, ndërhyrja në kanione mbrëmjen e djeshme ishte e pamundur”, sqaron policia në njoftimin zyrtar.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur kontakt të vazhdueshëm përgjatë natës, me 43-vjeçarin, dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm në drejtim të kanioneve, janë nisur forcat speciale Renea.

Gjatë operacionit të evakuim-shpëtimit, pas disa orësh në një terren mjaft të vështirë, forcat speciale Renea bënë të mundur nxjerrjen e 43-vjeçarit, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore.