Nga Mero Baze/

Ndarja e opozitës është përtej Partisë Demokratike. Populli opozitar në Shqipëri është realisht i ndarë rreth të ardhmes së opozitës dhe Sali Berishës. Pra sot opozita shqiptare nuk është e ndarë në ide, ideologji apo programe të ndryshme, por është e ndarë pro dhe kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Të dy së bashku ata kanë ngjallur dilemën e madhe opozitare nëse duhet të shkohet në zgjedhje pas tyre për hir të unitetit apo duhet luftuar edhe ata si një e keqe e madhe e opozitës.

Deri më tani Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë mundur të marrin me vete Vangjel Dulen duke i ofruar votat e tyre në tre bashkitë e pakicës greke në jug, Fatmir Mediun me të cilin nuk ndahen dot nga hallet e përbashkëta dhe Agron Dukën që vazhdon të mos e provoj partinë që ka blerë qysh më 2015, pasi mer hua makinën e Berishës.

Përballë tyre Partia Demokratike zyrtare po përgatitet të hyj në zgjedhje me kandidatët e vet, dhe krahas saj dhe disa parti të tjera opozitare po bëjnë përpjekjet e tyre. Partia PDIU e drejtuar nga Idrizi po përgatitet të garojë pjesërisht në disa bashki, duke refuzuar aleancën me Berishën. Bindja Demokratike LZHK dhe Nisma Thurje, po ashtu janë në bisedime për një aleancë për të hyrë në zgjedhje, duke refuzuar po ashtu të bashkëpunojnë me Berishën. Aleanca Kuq e Zi po ashtu.
Në këto kushte, kemi nga një anë Berishën me disa hallexhi të bashkuar dhe përballë tij një opozitë që e refuzon Berishën por që ende nuk ka një plan për të dalë në zgjedhje e bashkuar dhe kundër Berishës.

Ky copëzim i opozitës përballë Berishës në fakt i bën mirë atij, pasi ai krijon idenë e rrremë se ka përballë disa parti që i bashkon vetëm refuzimi ndaj tij, por nuk bashkëpunojnë dot me njëra tjetrën. Dhe kjo mund ta ulë rezultatin e tyre.
I vetmi lajm serioz nga opozita do të ishte një aleancë e gjerë me çdo parti dhe element opozitar antiberishë në Shqipëri, për të mos lejuar që asnjë votë antiberishë dhe asnjë opozitar i zhgënjyer që shikon se nuk ka të ardhme me dyshen Berisha-Meta, të mos mbetet pa votuar.

Është mirë që ka iniciativa për kandidim nga parti në mënyrë individuale dhe aleanca si ajo e Bindjes me Nismën Thurje apo Shehin. Por lajmi më i mirë, do të ishte që opozita të ishte e unifikuar, për të thithur çdo votë që refuzon t’i dorëzojë të ardhmen dyshes Berisha- Meta.

Opozita nuk mund të gjunjëzohet para tyre. Përkundrazi është rasti që opozita t’i gjunjëzojë ata, duke u bashkuar pa kushte dhe pa hipotekat e hatërmbetjeve të vjetra që po ashtu kanë shkak Sali Berishën.