Nga:Mero Baze

Përpjekja e Berishës për të marrë shumicën zyrtare të Grupit Parlamentar përmes Salianjit nxjerrë në dritë jo vetëm pafuqinë dhe gjunjëzimin real të Berishës nga Grupi Parlamentar pro Bashës, dhe mungesën e vlerave dhe parimeve që pretendojnë mbështetësit e tij. Ky është një nga ato zhvillime që fotografon të vërtetën që përpiqet të fsheh Berisha për gati një vit e gjysmë, qyshkur ka hyrë në betejë kundër PD.

Së pari tregon pafuqinë që ai ka përballë grupit parlamentar. Edhe pse po përpiqet të sillet si kryetar “de facto” i PD, duke injoruar ekzistencën e kundërshtarëve të tij në shumicë, ai provon me këtë, se ka 24 orë mendjen vetëm tek Grupi parlamentar dhe se si mund ta shtijë atë në dorë me metoda të stërholluara, luftë klanesh dhe mbi të gjitha duke përdorur hallet e njerëzve me probleme brenda grupit. Në rastin konkret ai po përpiqet të përdor hallin që ka Salianji nga një vendim i mundshëm gjyqësor kundër tij që mund ta çoj në burg apo ta nxjerrë nga politika dhe shpreson që përmes hallit që Salianji mendon se e zgjidh duke u bërë kryetar të zgjidh dhe hallin e tij.

Ai praktikisht është një lider që i ka rënë në gjunjë Salianjit dhe aftësisë së këtij të fundit për të zgjidhur dy halle njëkohësisht atë të vetin dhe të Berishës. Edhe pse demokratëve përpiqet tu shfaqet si njeri që nuk pyet për SHBA dhe Britaninë e Madhe që do mund Edi Ramën dhe do fshij nga faqja e dheut Lulzim Bashën, në fakt është një njeri që e ka mendjen 24 orë se si po ecën fushata e Salianjit për mbledhjen e firmave, duke e çoroditur edhe më shumë PD dhe duke e bërë të pariparueshme ndarjen e thellë.

Nga ana tjetër ky zhvillim është dh enjë fotografi e dhimbshme e mbështetëseve të Berishës, që gjoja kanë shkuar pas tij për parime dhe sistem vlerash dhe që ishin gati të vriteshin me armiqtë e tradhtarët e tyre më 8 Janar të një viti ë parë. Tani të njëjtët njerëz, të njëjtët mbështetës në shtyp dhe Foltore, janë bërë fansa të Salianjit, dhe njësoj si Berisha shpresojnë që ai ti shpëtoj nga halli.
E nisën në Kuvend disa javë më parë, duke bërë sherre për zaptimin e “Foltores” së Kuvendit, duke sulmuar Alibej pse nuk u jepte fjalën, për të krijuar një kazus që të justifikojnë sot aksionin e tyre pro Salianjit. Të njëjtët persona, që në fakt e kanë “shkarkuar” Alibej, kanë përjashtuar Bashën, dhe kanë zgjedhur kryetarët e tyre të grupit siç ka qenë Laçiano Boçi, befas po bien në gjunjë të Salianjit, me shpresë se ai do tu jap vulën në Kuvend.
Do të mjaftonte vetëm ky zhvillim për të kuptuar se cili është bilanci njëvjeçar i betejës së Berishës, i cili ka një vit që bën betejë për vulën e PD dhe tani ka rënë në gjunjë për ti marr vulën Salianjit. Më lehtë e kishte të binte në gjunjë para Lulit, se më i gjatë dhe skish nevojë të përkulej kaq shumë.