Mund të konsiderohet një “mallkim” brenda familjes. Bashkëpilotja fatkeqe e avionit të rrëzuar në Nepal të dielën, kishte humbur bashkëshortin e saj po nga rrëzimi i një avioni përpara 16 viteve.

Bëhet fjalë për tragjedinë më të rëndë ajrore të 30 viteve të fundit për këtë shtet, në të cilën humbën jetën të paktën 68 persona në fluturimin 691 të Yeti Airlines.

Anju Khatiwada ishte frymëzuar për karrierën e saj si pilote nga vdekja e bashkëshortit Dipak Pokhrel, në një incident ajror po me të njëjtën kompani fluturimi.

Kthimi i dhimbjes në forcë, rezultoi të ishte fatal për nënën e një fëmije të vogël. Familjarët e saj tregojnë se ishte një grua tepër e guximshme që përmbushi jo vetëm ëndrrat e saj, por edhe të bashkëshortit të ndjerë.

Anju ishte trajnuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pasi mori licencën atje, u kthye në Nepal për të punuar për Yeti Arlines.

Ajo ishte vetëm një nga gjashtë gratë e punësuar si pilote të asaj kompanie në Nepal, me një eksperiencë fluturimi prej 6400 orësh.

Shkaqet për rrëzimin e avionit ende nuk dihen dhe autoritetet kanë nisur një hetim lidhur me këtë. Por ky zhvillim tragjik ka ndezur debatin për sigurinë në fluturime në shtetin në Himalaje, që ka dëshmuar qindra të vdekur në incidente të ngjashme në dekadat e fundit.

Përgjatë viteve, faji për tragjeditë ka mbetur tek terreni i vështirë malor që nuk lë hapësirë për manovra dhe kushtet e motit që e bëjnë të vështirë navigimin për pilotët.