Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca prezantoi sot në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin, një projektligj shumë të rëndësishëm për sektorin e bujqësisë, “Projektligjin për Bletarinë”. Ministrja u shpreh se “ky pr/ligj do të formalizojë e rregullojë të gjithë prodhimin, transportin, paketimin e përpunimin e produkteve të bletarisë. Ky projektligj do t’i japë vlerë produktit të bletarisë, produktit të mjaltit, duke synuar më tej rritjen e prodhimit në vend dhe daljen në tregje ndërkombëtare”.

“Sektori i bletarisë ka pasur një zhvillim të konsiderueshëm në vitet e fundit, rritemi me 10% në prodhimin e mjaltit çdo vit, e kemi mbështetur këtë sektor çdo vit dhe duam që ky ligj, i cili rregullon sektorin dhe mbron bletarët, të japë impulsin e duhur për ta zhvilluar më tej këtë sektor dhe orientuar drejt eksporteve”, tha ministrja Krifca. Sipas ministres Krifca, ligji mbi bletarinë ka në përbërje të vet një strategji tre vjeçare e cila do të shërbejë për mbështetjen e sektorit të bletarisë, ku së bashku me ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, do ti jepet më shumë vëmendje dhe mbështetje në shërbim të agroturizmit dhe ekosistemit.

Ministrja vuri në dukje se, rolet e institucioneve janë të përshkruara në ligj dhe një ndër objektivat kryesorë është mbrojtja e specieve të bletëve dhe promovimi i specieve autoktone shqiptare. Bleta është jetike për bujqësinë. Projetkt ligji njeh rolin e veçantë të bletarisë në bujqësi, ekonomi dhe në të ardhurat e familjeve fermere. Komisioni pas diskutimeve miratoi me vote unanime këtë projektligj të rëndësishëm.