Pothuajse 20 vite më parë, 11 janar 2004, ai shënoi dygolëshin e tij të parë me fanellën e Milanit, kundër Reggina, duke u shenjtëruar përfundimisht në futbollin italian. Këtë herë, Kakà kujtohet nga Javier Zanetti, në ato vite një kundërshtar i madh i talentit brazilian.

Me rastin e përvjetorit special dhe pak ditë para ndeshjes së Superkupës mes kuqezinjve e zikaltërve, zv.presidenti i Interit ka folur në episodin e ri të “Fantastic 10”. “Kakà i parë te Milani ishte shkatërrues, kur nisej me topin në këmbë ishte shumë e vështirë ta ndaloje, – tha Zanetti. – Ai ishte një lojtar që i bënte të dyja fazat, ndihmonte në mbrojtje dhe më pas ndërmerrte inkursione të shkëlqyera”.

Ndër duelet e panumërta të zhvilluara kundër njëri-tjetrit, Zanetti kujton veçanërisht atë të derbit të dhjetorit 2007, kur, me Milanin për momentin në epërsi, arriti të ndërpresë një rifillim shumë të rrezikshëm: “Të dy filluam me topin në këmbë, duke ikur nga gjysma e fushës deri në fund. Rrëshqita pikërisht në fund, para se ai të kalonte në zonën tonë. Aty shpërtheu ‘San Siro’”.

Përveç admirimit dhe respektit të tij si kundërshtar, Zanetti e vlerëson brazilianin edhe jashtë fushës: “Kaka është një person shumë korrekt, shumë besnik, ka vlera të mëdha. Jemi takuar shumë herë jashtë fushës dhe kemi një marrëdhënie shumë të përzemërt”.

Një mirëkuptim, sipas Zanetti, i cili vlen edhe për ish-lojtarët e tjerë të mëdhenj të kuqezinjve: “Ne do të shihemi për ndeshje bamirësie ose ngjarje të tjera, ndoshta në një darkë, gjithmonë me shumë respekt”.