Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri bashkë me kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja zhvilluan një takim me pensionistët e qytetit të Elbasanit. Në fjalën e tij, Gjiknuri që është njëkohësisht dhe drejtues politik i qarkut, theksoi se qeveria ka treguar një vëmendje të shtuar për moshën e tretë, çka u konfirmua dhe me Pakon e Madhe. “Qeveria me politikat e saj për pensionistët në këtë periudhë ka qenë e vëmendshme. Qeveria edhe në këtë periudhë tregoi zemërgjerësi. Dha jo vetëm shpërblimin, por dha edhe paketën, Pakon e madhe që quhet, tetë mijë lekëshin. Kjo është e vërteta”, tha ai.

Numri dy i socialistëve komentoi dhe zgjedhjet vendore të 14 majit, ku shprehu besimin për fitoren e PS-së. Gjiknuri tha se PS në këto zgjedhje sjell për Elbasanin alternativën e zhvillimit dhe të punës, ndërsa opozita ofron një kandidat humbës. “Në garën e Bashkisë, patjetër që konkurrojmë me djalin tonë, që unë them se e ka treguar veten në detyrën e tij. Ka ditur të bëjë punë, ka ditur të administrojë. Kur themi gara e Bashkisë, nuk është vetëm çështje gare vetëm për një individ si Gledi, këtu është edhe çështje filozofish politike. Janë dy forca politike që përballen. Kë kemi ne përballë? Duhet t’ua themi të gjithëve: përballë kemi Berishën me Metën. Njërin që nuk do bota ta pranojë, Metën e kemi të superprovuar; vërtitet aty në politikë, me një parti të përçarë. Tani thonë duam të fitojmë Elbasanin. Kanë sjellë zëdhënësin e Berishës këtu, a thua se do shpëtojë ai Elbasanin. Si do e shpëtojë ai Elbasanin? Çfarë do shpëtojë? E para, ai këtu ka qenë, ka kandiduar dhe më përpara, ka humbur. Ka qenë kryetar PD-je, ka qenë 20 vite në politikë. Tani vjen ta kthejë në bunker politik të Berishës. Elbasani do zhvillim, nuk do luftëra politike”, tha drejtues politik i PS në qarkun e Elbasanit.

Gjiknuri nënvizoi se qytetarët e Elbasanit duan që punët e nisura nga kjo bashki në qytetin e Elbasanit të vijojnë.

“Kryetari i bashkisë nuk duhet të dalë në televizor të merret me politikën e madhe, kryetari i bashkisë duhet të ulet me pensionistët, duhet të ulet me të rinjtë, duhet të ulet me njerëzit nëpër lagje. Çfarë ka nevoja për shkollën, çfarë do të përmirësojë për ndriçimin, për kanalizimet, për ujërat e zeza, për ujin e pijshëm. Të gjitha këto janë problemet e bashkisë. Si do i bëjë ai? Ai s’do flasë për gjëra të tilla, sepse ai thotë unë kam përmbysjen. “Unë kam ardhur këtu për mision përmbysje, thotë ai. Njerëzit nuk duan përmbysje. Njerëzit duan të vazhdojë puna, urbanizimi i qytetit, të përmirësohet jeta e tyre”, tha numri dy i socialistëve.