Në një intervistë botuar në Dita, aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan Geri Kokalari flet për njohjen me Fatmir Mediun, ish-ministri i Mbrojtjes i përfshirë në shpërthimin e tmerrshëm të Gërdecit, rikthyer për hetim nga SPAK, pas marrjes të pandehur të Fatmir Mediut.

“Siç kam shkruar shumë vite më parë, unë kam pasur marrëdhënie miqësore me Fatmir Mediun dhe ai madje hëngri byrekun e nënës sime, që ishte më i miri në botë.

Gjëja që më bëri më shumë përshtypje në lidhje me Fatmirin atë kohë ishte koleksioni i tij mbresëlënës i orëve të dorës. Më kujtohet kur e shihja duke sistemuar, vendosur e përzgjedhur ato orë që vlerësoj se kishin vlerë mbi 10,000 dollarë secila. Pyetja që mbetej pa përgjigje në mendjen time ishte se nga i mori ai paratë për të blerë ato orë?

Më pas lexova lidhjet midis trafikantit të drogës Gazmend Mahmutaj dhe Fatmir Mediut. Ndërsa shërbente si Ministër i Mbrojtjes, Mediu vuri Kasem Mahmutaj, vëllain e Gazmendit, në krye të depove të municioneve në Shqipëri, përfshirë një që i siguronte municion AEY-së së Gërdecit”.

Kokalari tregon edhe një episod mes Mediut dhe gazetarit amerikan që hetoi Gërdecin, ku përmend Shkëlzenin, që u thirr sot nga SPAK:

“Ndihmova futjen në kurth të Mediut nga Nicholas Wood, një reporter i New York Times i cili punoi në artikullin e AEY.

Për shkak të egos së tij të tejfryrë, Mediu me naivitet mendoi se po intervistohej nga New York Times për ngjitjen e Shqipërisë në NATO dhe çështje të tjera. Por Wood e kapi gafil atë me pyetje dhe dokumente në lidhje me AEY dhe Gërdecin.

Wood më tha më pas se Mediu u bë i bardhë në fytyrë sikur të kishte parë një fantazmë. Ishte pa dyshim një nga surprizat më të mëdha të jetës së Mediut.

Pak pas intervistës, unë u kontaktova nga një gazetar i njohur shqiptar i cili më tha se Mediu dhe Shkëlzen Berisha ishin në kafe së bashku.

Ndoshta ata thjesht po diskutonin për motin ose për një ndeshje futbolli, por mu duk shumë e çuditshme që menjëherë pasi Mediu u godit nga një rrufe që e minonte pozicionin e tij si Ministër i Mbrojtjes, gjeti kohë për të vrapuar në një takim me një djalosh i cili tani pretendon se nuk kishte asnjë lidhje me AEY ose Gërdecin”.