Charlotte FC në SHBA ka njoftuar se mbrojtësi anglez Anton Walkes ka ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare. Walkes ishte pa ndjenja në ujë pas një përplasjeje të dy varkave pranë “Stadiumit Detar” në Miami. I dalë nga moshat e Tottenham, anglezi prej 2020 vendosi të zhvillojë karrierën në SHBA, duke kaluar më parë të Atlanta dhe më pas te Charlotte. Klubi i tij aktual shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mbrojtësit 25-vjeçar. Walkes ishte baba edhe i një vajze të vogël.

“Të gjithë jemi të shkatërruar nga vdekja tragjike e Anton Walkes. Ai ishte një djalë, baba, partner dhe shok ekipi i jashtëzakonshëm, qasja e gëzuar e të cilit ndaj jetës preku të gjithë ata që takoi. Antoni i bëri njerëzit përreth tij njerëz më të mirë në të gjitha fushat e jetës dhe përfaqësoi Charlotte FC me standardet më të larta si brenda dhe jashtë fushës. Ai do t’i mungojë shumë njerëzve dhe mendimet dhe lutjet tona janë me familjen e Antonit gjatë kësaj kohe të rëndë. Klubi ofron mbështetjen e tij të plotë për të gjithë ata që janë prekur gjatë kësaj periudhe”, njofton klubi i Charlotte.