Sipas informacioneve të fundit në media, Gjykata ka urdhëruar SPAK të hetojë burimin e pasurisë së Ilir Metës dhe Sali Berishës, nëse është deklaruar sipas ligjit dhe nëse ka apo jo lidhje me vjedhjen e thesarit të shtetit.

Vendimi mban firmën e gjyqtares Flojera Davidhi, e cila rrëzon vendimin e 7 tetorit 2022 të prokurores së SPAK, Manjola Kajana, për mosfillimin e procedimit penal që ka të bëjë me kallëzimin e avokatit Idajet Beqiri për vjedhjen e floririt të Kërrabës. Beqiri kërkonte ndjekjen penale të Ilir Metës dhe Sali Berishës si të dyshuar si organizatorë dhe përfitues të vjedhjes së floririt.

Avokati Spartak Ngjela tha në një intervistë për Euronews Albania se në rastin e vjedhjes së floririt në Krrabë kemi të bëjmë me një krim që vijon, pasi paratë e vjedhura janë futur në investime.

Kjo është arsyeja, u shpreh Ngjela, pse çështja nuk është rrëzuar nga Apeli. Sipas tij, fakti që del në skenë emri i Sali Berishës dhe Ilir Metës të cilët kanë qenë të dy kryeministra tregon se ka prova të reja ose prova që nuk janë përdorur.

“Paratë që janë vjedhur janë në investim. Jemi përballë një krimi që vijon, kjo ka qenë arsyeja pse s’e ka rrëzuar Apeli. Pse ka marrë këta të 2? Do ketë prova. Të shohim si do ekspozohen provat. Fakti që janë marrë për këtë çështje dy kryeministra arrijmë në konkluzionin që ka prova të reja, që nuk janë përdorur, ose të reja që s’kanë qenë fare në dijeni”, tha Ngjela.

Zhdukja e 280 kg ar, vjedhja e thesarit të shtetit, ka qenë padyshim një nga ngjarjet më të bujshme në Shqipërinë postkomuniste.

Avokati Spartak Ngjela tha se thesari i floririt ishte sekret shtetëror dhe vjedhja e tij nuk mund të kryhej nga njerëz të zakonshëm, por vetëm nga njerëz me veshje të lartë shtetërore.

“Ajo sasi ari nuk mund të vidhej nga një njëri i zakonshëm, donte informacion të plotë shtetëror, askush tjetër s’mund ta vidhte. Që kur e pashë atëherë isha i bindur se ishte i vjedhur nga persona me veshje të lartë shtetërore. Ai ishte sekret shtetëror. Pastaj gënjyen me atë fshatarin, atëherë e pashë se kjo është vjedhje e nivelit të lartë”, tha Ngjela.