Flamurtari shpallet fitues i Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra, pas fitores 74-73 në finale ndaj Partizanit, në ndeshjen e luajtur në mjediset e akademisë “Dhimitraq Goga” në Durrës.

Një finale e vendosur në frymën e fundit, me të kuqtë që patën aksionin e fitores, por gabuan në fund. Ndeshja ishte e ekuilibruar nga minuta e parë deri tek e fundit, me të dy ekipet që e kërkuan me ngulm fitoren, duke dhuruar emocione në parket.

Vlonjatet u treguan më të sakta në aksionin e fundit, duke përfituar edhe nga gabimi që të kuqtë bënë në sulmin e fundit, që mund t’u jepte atyre fitoren. Në fundin e takimit, Partizani pretendoi për një gabim të gjyqtarisë, por ky pretendim u hodh poshtë.

Flamurtari e Partizani janë dy ekipet më të mira të kampionatit, kryesuese edhe në Ligën Unike për femra, fakt që e konfirmoi edhe finalja e fundit në Kupën e Shqipërisë. Një fitore e merituar për skuadrën e trajneres Elona Hasanaj, që kryeson edhe kampionatin.