Libri i shumëdiskutuar autobiografik i Princit Harry u botua më në fund, me hollësi të reja mbi sherret e brendshme në radhët e familjes mbretërore britanike, pohime-bombë mbi marrëdhëniet mes anëtarëve të saj si dhe përshkrime të mënyrës sesi u dashurua me të shoqen, Meghan Markle. Pjesa e parë e këtyre kujtimeve megjithatë, duket se është ajo që i intereson më shumë publikut britanik. Shumë detaje nga libri i titulluar “Spare”, janë raportuar tashmë, por kureshtarët do të kenë mundësinë të marrin në dorë dhe një kopje të kujtimeve të princit, që ofrojnë një rrallë e më të drejtpërdrejtë mbi një familje të copëzuar nga mosmarrëveshjet dhe mosbesimi. Mjaft britanikë u dyndën nëpër dyqane për të blerë “Spare”, madje Chris Imafidon, kryetar i një organizate bamirëse arsimimi, rrëfeu se kishte blerë tre kopje në Londër. Libri që tani renditet si një nga best-sellerët e Amazon në website-t e kompanisë në SHBA, MBretërinë e Bashkuar dhe Kanada. Edhe pse shpesh përdor tone të ngrohta për familjarët e tij, vecanërisht gjyshen, mbretëreshën e ndjerë Elizabeth II, Harry përshkruan nga ana tjetër prishjen e marrëdhënieve me vëllain e tij më të madh, Princin William, dhe ngërcin me babain, Mbretin Charles III. Ai nuk lë pa shpotitur edhe kunatën, Kate Middleton, ndërsa akuzat më të forta ia drejtoi njerkës, Camillës, duke thënë se bashkë me të vëllanë i ishin lutur të atit që të mos martohej me të e po kështu doli me pretendimin se bashkëshortja e monarkut qëndronte pas disa artikujve mediatikë, të shkruara në kurriz të Meghanit.