Kryeministri Edi Rama prej disa ditësh nuk është shfaqur në publik, e ndërsa sot njoftoi se ishte me grip. Mungesa e tij është komentuar shumë nga opozita, të cilët thanë se Rama po i shmangej debateve lidhur me dosjen e zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.

Teksa Rama publikoi një video nga Kryeministria, Berisha shfrenon fantazinë duke publikuar mesazhin e ‘qytetarit dixhital’ në të cilin thuhet se Ramën është takuar me zyrtartë të lartë të FBI-së në një ishull dhe i kanë kërkuar që të rrëfejë lidhjet me McGonigal. Kreu i qeverisë tregoi se ka vijuar punën dhe ka diskutuar për të sjellë politika të reja mbështetëse për grupet në nevoj duke nxjerrë ‘blof’ kështu Berishën.

“Përshëndetje Doktor, sëmundja e Ramës është diplomatike. Njoftimi i Dukës është i pavërtetë. Rama ka qene prej tre ditësh në një ishull në takim me hetues të FBI por edhe zyrtar të lartë. Atij i është kërkuar: 1-të rrëfejë çdo gjë si i penduar i drejtësisë rreth lidhjeve të tij me Mc Gonigal si dhe çdo gjë rreth oficerit të shërbimeve inteligjente, sigurimit të shtetit Agron Neza dhe superkëshilltarit të tij të errët Dorian Duçka. Ramës i është kërkuar të dëshmojë për lidhjet e tij me Mark Rossinin kontratat direkte me Lou Bladel paraardhësi i McGonigal ne FBI. Ndërkohë Erion Velia është nisur me urgjencë për Neë York për të ndërhyrë tek Aleks Soros për të ndihmuar apo për te shpëtuar veten sepse edhe emri i tij lakohet shume here ne pjesën e dosjes që nuk është publikuar”, thuhet në postimin e publikuar nga Berisha.

Përkundër akuzave që opozita shqiptare ka bërë sa i takon korruptimit të McGonigal nga Agron Neza biznesmen shqiptaro-amerikan (ish punonjës i inteligjencës shqiptare në kohën e komunizmit) për llogari të kryeministrit Rama, New York Times shkruan se në aktakuzën e autoriteteve amerikane nuk flitet fare për korrupsion por për mosdeklarim të të ardhurave nga ish zyrtari i FBI-së.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës në kohën e komunizmit, dhe mosdeklarim të shumës së dollarëve, për të cilat ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.