Nga Jakin Marena

Nëse ka një çështje e cila i ka të gjitha provat e faktet të zbardhura e gati, është ajo e vrasjes nga Garda e Republikës, me urdhër të ish kryeministrit Sali Berisha, të 4 demonstruesve të opozitës jashtë “perimetrit të sigurisë” më 21 janar 2011.

Nuk e themi këtë as për të ndikuar sadopak në punën e drejtësisë së re shqiptare e as për të qënë solidarë me të gjithë ata qytetarë shqiptarë, gazetarë që zbardhën të vërtetën por dhe partnerë ndërkombëtarë që janë të bindur, dhe e kanë thënë përmes ekspertizave të tyre se vrasja e katër të pafajshmëve është bërë nga shteti, me armët e shtetit dhe me urdhër sipas piramidës së drejtimit.

Por dhe nëse ne të gjithë bashkë të ishim kundër këtij versioni, dhe të thonim se urdhëri s’është dhënë nga ish kryeministri Berisha për të qëlluar mbi turmën e protestuesve, ia vlen të theksojmë se në manualet e Gardës, urdhërin e jep ose ministri i Brendshëm në drejtim të kreut të Gardës, ose nëse është dhe kreu i qeverisë prezent, atëherë i mbetet atij që të urdhërojë ministrin e pastaj zbret sipas zinxhirit komandues deri te ‘gishti’, pra dhe sikur gjithë bota të jetë kundër, është vetë Sali Berisha ai që i ka marrë përsipër publikisht vrasjet e 21 janarit 2011.

E ka deklaruar në disa media, madje me mburrje se ishte i vendosur më 21 janar për të mos dalë nga selia e kryeministrisë, sikur të bëhej hataja, por do të qëndronte për të treguar se nuk kishte frikë. Por dhe ka shpjeguar masat që kishte marrë për të urdhëruar të qëllohej menjëherë sapo protestuesi i parë të kalonte portën e kangjellave që rrethonin kryeministrinë, dhe që sot nuk ekzistojnë më.

Madje Berisha në emisionet televizive të vitit 2016 dhe vitit 2018 ka rrëfyer dhe disa detaje që nuk i dinim, duke theksuar fort se i ka dërguar një mesazh të ‘nxehtë’ Edi Ramës përmes një zyrtari të SHBA. Që mos lëmë vend për keqinterpretime, po zbardhim pa e bezdisur lexuesin disa pasazhe nga deklaratat e tij publike, ku mburrej se mund të vriste ish kreun e opozitës por dhe gjysmën e protestuesve, nëse guxonin të shkelnin brenda kangjellave të kryeministrisë.

“Në 21 Janar, qëndrova, ata që kanë ardhur më kanë gjetur në zyrë dhe më kanë gjetur me dosje në duar. Pas disa ditësh erdhi një zyrtar amerikan i dërguar nga Klinton dhe më thotë, më kërkon: “A ka mundësi të mos vish nesër në zyrë?” I them absolutisht, se është ditë pune, po edhe të mos ishte, do isha në zyrë. Me tha: “Nuk bëhet nami nëse nuk je”. I thashë: “A të të jap mesazhin për Ramën? Po preke gjënë më të vogël do jenë 5 snajper, 4 nga të katërt anët dhe unë në mes dhe do goditet, vetëm po nuk e shpoi plumbi”.

“Ti po thua,- tha, Shqipëria e shek 19”. Më vjen keq i thashë, Shqipëria e shek 21. Unë për zjarrvënësin do bëj atë që më takon të bëj. I thuaj se një postë policie po e prekën, në mënyrë absolute s’do kthehet në Shqipëri i gjallë. Ia kanë thënë, që po të lëvizte në atë mënyrë do qëllohej, u zhduk në 21 janar si ajo e pulës. Funksionoi”, deklaroi me mburrje Berisha, duke iu referuar më pas dhe Kanunit të Mesjetës.

Teksa deklaron se si malësor që është është rritur me Kanunin, rregullat e tij, ndonëse regjimi i Enver Hoxhës të këpuste në “mes” nëse veproje në bazë të tij, Berisha nënvizoi në mënyrë publike se “jam rrit me kanun: Më vonë në politikë kam kuptuar se rreziku duhet të përballohet. Aventura mos bëj, por rreziku duhet përballuar”.

Teksa nënvizon se Rama u soll si armik me të, Berisha shprehet se reagimin ndaj protestuesve ia imponoi pikërisht ish kreu i opozitës, duke kërcënuar se një hap të bënte para ai nuk do të ishte më i gjallë. Teksa deklaroi se nuk kishte frikë, akuzoi Ramën se po i rrethonte zyrën, “kullën”, e tij, të cilën ishte i betuar të mos e lëshonte i gjallë. “Është e paimagjinueshme që mua mund të më shkonte për një të qindën e sekondës mendja që të lëshoja zyrën time, kurrë! Isha në krye të detyrës unë. As 3, as 30, as 300, s’mund të pushtonin zyrën time, ishte jashtë çdolloj”, ka deklaruar Berisha në mënyrë publike në media para disa viteve.

Pra Berisha e ka paralajmëruar Ramën se do ta vrasë, ka kërcënuar më tej se do të vrasë këdo nëse kalon kangjellat apo “perimetrin e sigurisë” së kryeministrise, duke përcaktuar dhe shifra, që përbëjnë një paralajmërim të tmerrshëm se çfarë mund të bëjë ky njeri nëse ka pushtet dhe mbi të gjitha nëse ka frikë. Se trimëria e Berishës u pa qartë, kur e palosi në asfalt një i sëmurë mendor më 6 dhjetor të vitit të kaluar, kur e qëlloi në mes të bulevardit dhe të truprojave të tij me grusht në fytyrë.

Për t’u rikthyer tek ngjarja e 21 janarit 2011, ajo ndodhi krejt ndryshe. Jo vetëm që katër demonstruesit e opozitës u vranë me duar në xhepa shumë larg kangjellave të selisë së kryeministrisë, por ekzekutimi i tyre ka ndodhur pikërisht në momentin kur protesta po shpërdahej dhe njerëzit thuajse ishin larguar. E pranon dhe vetë herë pas herë Berisha, teksa kërkon të akuzojë Ramën se kishte frikë për të qënë në krye të turmës përballë kryeministrisë.

Nga ana tjetër, nëse parashikohet se protesta mund të ketë përplasje me policinë, apo mund të degjenerojë në dhunë, në fillim ambasadat paralajmërojnë qytetarët e tyre që të shmangin akset rrugore që të përballin me protestën. Ndërsa titullari i institucionit, në rastin e 21 janarit 2011 kryeministri Sali Berisha, nuk duhej të futej në zyrë, pasi do të provokonte masën e tubuesve. Garda ka për detyrë ta evakuojë dhe me forcë siç bëri me paraardhësin e tij Fatos Nano më 14 shtator, kur mbështetësit e Berishës sulmuan dhe pushtuan kjryeministrinë.

Dhe nëse kryeministri aktual Edi Rama do të ecte sipas ‘kodeve’ kanunore të Berishës, të cilat ai i zbatoi më 21 janar 2011, atëherë në protestat e dhunshme të opozitës së Bashës me Berishën në “paskuintë” gati gjatë gjithë vitit 2019, ku u sulmuan Kryeministria, Parlamenti, Ministria e Brendshme, drejtoria e policisë së Tiranës dhe institucione të tjera, do të ishte bërë nami. Ankesa e vetme e protestuesve, Bashës dhe Berishës ka qënë se u digjnin sytë nga gazi lotsjellës, dhe ky një “produk” i blerë nga vetë Sali Berisha kur ishte në qeverisjen e vendit e i ‘trashëguar’ prej tij.

Tashmë çështja ka marrë një drejtim të ri. Duke qënë se kanë dalë disa përgjime, ku zbardhet gjithë biseda e zinxhirit komandues deri tek ata që tërhoqën këmbëzën, i urdhërave për të qëlluar me armë zjarri mbi turmën e protestuesve më 21 janar 211, me emra dhe mbiemra, madje është thirrur për të dëshmuar dhe gazetari që bëri publike këto përgjime, mendojmë se drejtësia shqiptare ka dhe një element më shumë në dosjen e kopsitur ptë krimit shtetëror për të dërguar para drejtësisë urdhër-dhënësit e vrasjes së katër demonstruesve të opozitës.

Dhe pas gjithë thirrjeve të familjarëve të viktimave, të partive politike dhe të zërave relevantë në këtë vend drejtSPAK që të marrë çështjen nga Prokuroria dhe ta hetojë vetë këtë krim të rëndë, menjëherë pas deklaratave të Berishës që i quajti manipulime të gjitha këto përgjime, del Prokuroria e Përgjithshme që urdhëron atë të Tiranës që të fillojë verifikimi i këtyre provave të reja që janë publikuar në media gjatë ditëve të fundit.

Megjithëse nuk u mburr kësaj radhe se do të vriste këdo që kalonte kangjellat e kryeministrisë, apo se kishte 5 snajperë në tarracën e kryeministrisë, gati për të qëlluar liderin e atëhershëm të opozitës, akuzoi sërish Ramën për puç shteti, mbetet sërish mister përmendja e Ardi i Veliut që maksimumi në atë kohë ka qënë ose oficer i thjeshtë ose komandant poste në Vlorë. Dhe mbi të gjitha kërcënimet Berisha dhanë sërish efekt bllokues tek drejtësia shqiptare. Këtë e themi bazuar në faktin se është sërish prokuyroria e Tiranës ajo që do të hetojë dhe për përgjimet e fundit të dala në media të urdhërave për vrasjen e 4 demonstruesve më 21 janar 2011 dhe jo SPAK.

Mbetet mister fakti se përse vijon të mos cilësohet një krim i rëndë vrasja e 4 protestuesve të opozitës, nga Garda e Republikës dhe të mos transferohet çështja tek Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, që merret me krimet e rënda. Vetëm drejtësia e re shqiptare e di dhe mund ta shpjegojë këtë ngurrim. Ndoshta ka gjetur mënyrën më të mirë për të shmangur marrjen në pyetje të Berishës për këtë ngjarje të rëndë. Jo vetëm që nuk e pyesin dot por akoma nuk ia kanë zënë me gojë as emrin.

E vërteta është se dhe pa këto përgjime, Berisha në çdo vend normal të botës me drejtësi normale duhej të ishte para drejtësisë. Pasi edhe nëse nuk do të merreshin parasysh denoncimet e të tjerëve për urdhëdhënie ndaj Gardës që të vrasë protestuesit, për pengim të drejtësisë që të hetojë, për zhdukjen e kamerave e të gjitha provave të tjera që implikonin vetë atë, për tentativën e zhvendosjes së përgjegjësisë tek opozita dhe paraqitja sikur ishin vrarë mes vetes me “çadra pistoletë”, drejtësia e re të mjaftohet vetëm deklaratat publike e Berishës në emisionet televizive të vitit 2016 e 2018 ku merr përsipër përgjegjësinë e urdhërit për të qëlluar mbi turmën ku mbetën të vrarë 4 demonstrues të opozitës, dhe dosja është e mbyllur. Pra thjeshtë të administrojë videot e emisioneve.

Fundja dhe të penduarit e drejtësisë për krime të ndryshme të rënda nuk kanë bërë më shumë teksa kanë “treguar shokët” dhe më pas kanë ardhur arrestimet e bujshme. Dhe mirë kanë bërë. Por fjala e tyre kundër shokëve ka qënë, megjithëse drejtësia i ka marrë për bazë dhe ka goditur krimin duke shënuar rezultate. Ndërsa Berisha flet për vete, rrëfen në vetë të parë për krimin e tij, teksa pranon se ka urdhëruar snajpera në tarracë dhe Gardën për të qëlluar mbi turmën e protestuesve dhe gati për të qëlluar liderin e opozitës Edi Rama. Madje e ka bërë publik pohimin e tij dhe marrjen e përgjegjësisë për këto vrasje politike. Pse drejtësia vepron me dy standarde?!

Na habit fakti që SPAK deri më tani nuk e ka marrë përsipër hetimin e krimit të rëndë shtetëror të 21 janarit 2011, duke mos e cilësuar si një vepër penale që futet tek krimet e rënda. Nuk jemi në gjendje të shpjegojmë nëse kanë frikë apo ka diçka tjetër.

Me sa duket e ‘hanë’ fort presionin e Berishës, ndaj ish kryeministri teksa sheh stepjen e tyre nuk rresht së sfiduari SPAK-un dhe Prokurorinë. Duke hedhur tezat e manipulimit e falsifikimit, por dhe duke bërë thirrje që të marrin nën hetim Edi Ramën, që organizoi protestën në bulevard. Ndoshta ndjehet i sigurtë Berisha, se në të gjallë të tij nuk do të hetohet kurrë me sa duket as për Gërdecin, as për 21 Janarin dhe për asnjë nga dosjet e mëdha. Madje as do të thirret për të dëshmuar nga organet e hetimit, as si person që ka dijeni.