Në 2017 Bashkia e Tiranës krijoi fondin e komuniteteve që synon të nxisë bashkëpunimin efektiv në mesin e qytetarëve për përmirësimin e infrastrukturës së blloqeve të banimit dhe ruajtjen e ambienteve në pronësi të përbashkët. Suksesi i kësaj nisme dhe rritja e numrit të aplikimeve vit pas viti, ka bërë që Bashkia e Tiranës të rishikojë procedurat duke sjellë të tjera lehtësi për qytetarët dhe duke rritur mundësitë që ata të përfitojnë për rikosntruksionin e pallateve.

Vendimi i fundit i Këshillit Bashkiak sjell si risi ndryshimin e fondit limit duke rritur vlerën e financimit, duke marrë parasysh se një numër i konsiderueshëm ndërtesash banimi janë të larta, për rrjedhojë llojet e projekteve për termoizolim fasadash janë më të kushtueshme. Gjithashtu, projekteve për vendosje të ashensorëve i është shtuar edhe modifikim/riparimi i tyre, duke pasur parasysh se në shumë pallate ashensoret kanë nevojë për remonte dhe modifikime të rëndësishme që kushtojnë dhe përdorimi i tyre përbën rrezik për jetën e qytetarëve, pasi për arsye të ndryshme ashensorët nuk janë të regjistruar pranë Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Në kuadër të përfshirjes sa më të gjerë të komunitetit, Bashkia do të mbulojë shpenzimet e investimit të ambienteve të përbashkëta për bashkëpronarët që i përkasin kategorive në nevojë, ku përfshihen kategoritë e familjeve të përbëra vetëm nga pensionistë, kryefamijarë që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe anëtarët madhorë sipas përbërjes familjare janë të papunë apo familje që kanë në përbërje të tyre anëtarë vetëm persona me aftësi të kufizuara.

Lehtësi do të ketë dhe për marrjen e lejes së punimeve duke sjellë përshpejtim të realizimit të projekteve.

Risitë e sjella do të ndikojnë në shpërndarjen sa më efektive dhe eficente të buxhetit të alokuar nga Bashkia e Tiranës për Programin e Fondit të Komuniteteve, nëpërmjet të cilit do të shtohen pallatet që do të rikonstruktohen, duke përmirësuar në këtë mënyrë jetën e komunitetit, por edhe duke i dhënë një vlerë të shtuar pronës. Në bashkëpunim me qytetaret, Bashkia e Tiranës ka realizuar 93 projekte përmes “Fondit të Komuniteteve”, si dhe mbi 40 projekte që vijojnë.