Gazetari Artan Hoxha, është shprehur se janë siguruar prova që vrasjet e 4 personave më 21 janar janë kryer me urdhër nga lartë.

Përmes një interviste në News 24, Hoxha tha se urdhëri për sulmin me armë është bërë nga drejtuesit e Gardës, përmes bisedave në një kanal radio mars përmes 10 personave që ishin të pajisur me kufje.

Hoxha tregoi se babait të njërit prej viktimave të 21 janarit, Aleks Nikës, i kishin dërguar një fotografi të një gardisti tjetër, i cili kishte qenë pjesë në protestën e 21 janarit, por sipas tij nuk kishte qëlluar, duke i thënë se ai ishte vrasësi i djalit të tij.

Sipas Hoxhës, këto gjëra ndodhin në momentet që nuk funksionon drejtësia, çka sipas tij mund të fusnin në një qerthull hakmarrjesh të rreme.

“Sistemi atëherë synoi ta groposte atë ngjarje. Kur në pamjet e publikuara në Neës 24, pamjet e vrasjes së Ziver Veizit, filloi një operacion tjetër, ku u tha se vrasjet kishin ardhur nga brenda turmës. Ina Rama nuk ka dëshmuar kurrë për 21 janarin.

Ne kemi nxjerrë kamerat e Kryeministrisë. Ne kemi nxjerrë sesi drejtuesit e gardës komunikojnë me radio. Në raportin e shërbimit të sallës operative të Gardës, nuk u gjet asnjë komunikim mes drejtuesve të gardës dhe “Grupit të Zjarrit”.

Ne nuk ua kthejmë dot viktimat e 21 janarit. Çfarë tregon kjo provë? Kjo provë tregon se vrasjet janë bërë me urdhër, me komandë. Kjo provë është zhdukur. Prandaj duhet të gjendet sesi është zhdukur ky material. Gjithsesi kjo provë dëshmon që vrasjet janë bërë nga Garda, janë bërë me urdhër. Kjo provë është një bisedë mes një grupi prej 10 vetash në një kanal radio mars. Komunikimi mes tyre është bërë, pra ata komandat i kanë patur në vesh. Komandat janë dhënë në radio dhe janë dëgjuar në kufiet e “Grupit të Zjarrit”.

Unë si material kisha pamje për këtë dhe isha i bindur se ishin bërë me urdhër. Dy vrasjet e tjera janë pa autor. Aleks Nika është dëshmor i atdheut, por nuk ka përgjigje se kush e ka vrarë. Unë kam kontaktuar me babain e Aleksit dhe doja që këtë gjë ta realizonim për sa kohë që ai ishte gjallë. Atyre u ishte çuar një foto për një drejtues garde dhe u kishin thënë që ky person e ka vrarë djalin tuaj. Sepse kur nuk vepron drejtësia, këto gjëra veprojnë.

Unë i thashë që nuk është ky, nuk ka qëlluar ky. Gjithçka mund të futej në një qerthull hakmarrjeje. Duke qënë se unë kisha parasysh pamjet, materiali që më ra në dorë mua, pra duke dëgjuar urdhërat, të bëja kronologjinë e ngjarjeve. Mu duk sikur po e përjetoja ngjarjen edhe njëherë”, u shpreh Hoxha.